13 Janar, 2021 - 2:45 pm
Sot në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, Qendra ‘Multimedia’ promovoi dy vëllimet e ‘Antologji e dramës bashkëkohore në Kosovë’. Vëllime këto që përfshijnë gjithsej 16 autorë dhe 16 drama, shkruan KultPlus.
Si panelistë të këtij promovimi ishin dy dramaturgët Besim Rexhaj dhe Arian Krasniqi, të cilët konsideruan se botimi i kësaj antologjie është një punë me vlerë të madhe e cila ndoshta do të duhej të shihte dritën e botimit qysh moti.
I pari që mori fjalen ishte Besim Rexhaj, i cili theksoi se dita e sotme është një ditë tejet e rëndësishme jo vetëm për kulturën por edhe për dramën shqiptare. Ndër të tjera ai u shpreh se kjo gjë e gëzon atë shumë, mirëpo në anën tjetër, ai mendon se në kushte normale do të duhej të kishte edhe shumë antologji të tjera të dramës shqipe.
‘Pa dashur të gëromojmë se pse tash po bëhet ky botim dhe jo më herët, nuk mund të mos them se kjo ka të bëjë me një politikë margjinalizuese të qarqeve që janë përgjegjëse për mbështetjen dhe kjo natyrisht deshtëm apo nuk deshtëm ne adreson këtë në Ministri të Kulturës dhe në institucione tjera mbështetëse, mbase duhet të ketë pasur përpjekje, nxitje apo ide të cilat mund të ofroheshin nga vetë Fakulteti i Arteve, nga Biblioteka Kombëtare, Instituti Albanologjik (pjesa që mirret me dramaturgjinë) etj.’ deklaroi tutje Rexhaj
Ndër të tjera, Rexhaj theksoi se përmbledhja e dramave shqipe ka filluar me këto dy vëllime, mirëpo sipas tij, nuk do të mbaroj me kaq pasi pritet edhe një vëllim i tretë.
Arian Krasniqi theksoi se botimi i kësaj antologjie është një punë shumë e vyeshme dhe se kjo antologji do të shërbejë si një lloj panorame dramaturgjisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë, për krijuesit që aktualisht e shkruajnë edhe e inskenojnë dramën.
‘Përmbajtja e antologjisë të dramës bashkëkohore në Kosovë përmbledh breza dhe gjenerata të ndryshme të krijuesëve të artit dramatik. Brenda këtyre kopertinave është bërë një punë e vyeshme’, theksoi tutje Krasniqi.
Dy vëllimet e antologjisë përfshijnë 16 autorë dhe 16 drama.
Vëllimi I:
“Parfumeria” nga Haqif Mulliqi
“Shfaqja e fundit” nga Fadil Hysaj
“Monedha e Gentit” nga Milazim Krasniqi
“Kafeneja në udhëkryq” nga Visar Krusha
“Gjashtë” nga Arian Krasniqi
“Bodrumi” nga Ilir Gjocaj
“Vrasja e Mushkonjës” nga Xhevdet Bajraj
“Gishti” nga Doruntina Basha
Vëllimi II:
“Aroma e hënës” nga Mehmet Kraja
“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga Jeton Neziraj
“Gruaja në dritare” nga Arta Arifi
“Binjakë siamezë” nga Ekrem Kryeziu
“Loja e pafund” nga Besim Rexhaj
“Hamleti sipas Horacit” nga Ag Apolloni
“Shkumësi” nga Naser Shatrolli
“Veriu” nga Agush Mulliqi.
‘Antologji e dramës bashkëkohore në Kosovë’ u botua nga Qendra ‘Multimedia’ me mbështetje të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com