14 Nëntor, 2018 - 11:00 am
“Provocateur” quhet libri më i ri i gazetarit Mustafa Nano i cili është hedhur në treg në prag të Panairit të 21 të Librit nga UET PRESS.
Libri është një autointervistë që Nano bën me veten duke prekur temat më të nxehta të historisë dhe zhvillimeve në këto dy dekadat e fundit. Në promovimin e librit një ditë më parë, Nano quajti një nga kapitujt më të dashur e delikat, duke e krahasuar me një patate të nxehtë atë ku flet për fqinjësinë.
“Është kapitulli ku flas për marrëdhënien e Shqipërisë dhe vendeve fqinje. Jam me tezën le të themi që armiqësia mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje është e vonë, jo e hershme. Këto armiqësi që kemi pasur rreth dy shekuj më parë në rastin më dramatik, ta transformojmë, ta kthejmë me kokë poshtë. Problem janë dhe shoqëritë që kemi fqinje jo vetëm ne. Problem janë shoqëria greke me rastet e fundit etj. etj. Pjesë e rëndësishme janë masa të tëra fanatike që nuk lejojnë, nuk të inkurajojnë që ti, ti ndryshosh gjërat sepse janë mësuar me faktin që shqiptarët janë armiqtë tanë. Ashtu sikur ne jemi mësuar me faktin që “, tha Nano.
Më pas ai u ndal tek zemërimi që kishte ngjallur një reagim i tij mbi prejardhjen e nënës së Skënderbeut sidomos nga shqiptarët e Kosovës.
”Janë zemëruar me mua prej tezës sime disa kosovarë qoftë për origjinën sllave të nënës së Skënderbeut, shokoi shumë njerëz. Edhe sikur ta kisha shpikur atë tezë nuk kishin pse të shokoheshin. Në shtresën e aristokracisë është një gjë banale, e zakonshme. Po kështu ka skandalizuar teza ime tjetër që midis shqiptarëve dhe serbëve në harkun e shekujve, ngaqë ka pasur marrje dhe dhënie, ka patur dhe martesa, flirte dhe kjo ka bërë që në gjakun e serbëve të ketë sadopak shqiptarë si dhe anasjelltas. Kjo tezë tërboi shumë njerëz”, tha Nano.
Sipas tij tema më interesante është ajo e kapitullit të tretë ku unë flas për politikën, për Edi Ramën, Sali Berishën, Azem Hajdarin për personazhe të tjera ku shpjegoj një lloj revolucioni të timin politik ndër shumë vite.”
Është një libër që kush më ndjek në shtyp, ka arsye që këtë libër ta marrë dhe ta lexojë dhe nuk do mbetet i zhgënjyer”, tha Nano. Libri shoqërohet me parathënie nga përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Belina Budini.
Opinionet e tij për shumëçka nga Kurani e Bibla, Jezusi e Muhamedi, te seksualiteti dhe deri te nëna e Skëndërbeut janë metodologjia e ndjekur për të ndërtuar përmbajtjen e librit. Një metodë që premton vetëm publicistikë, pasi nga pikëpamja shkencore nuk ka distancën e nevojshme subjekt-objekt për t’u konsideruar e vlefshme. Me këtë libër në formën e një autorrëfimi dhe me titull Provocateur shfaqet hapur në rolin e tij si i vetëprovokuar. Libri tingëllon menjëherë si provokim vetëm prej faktit që “provokon” vetveten.
Mustafa Nano ka zgjedhur të intervistojë Mustafa Nanon. Qasja është në këtë rast provokimi i parë i librit. Edhe pse kushdo mund të lakmojë t’ia drejtojë vetë pyetjet vetes, dalja hapur në vetintervistim nuk është kaq rrethanë e lakmuar. Në këtë pozitë të sikletshme e vë veten autori i këtij libri, ndërsa i lejon pra vetes të provokojë veten.
“Nano nuk merr përsipër të bëjë kronikanin e politikës, dukurive sociale apo kulturore të ditës në këtë libër. Ashtu sikurse nuk e ka bërë këtë as në rubrikat e tij në gazetë apo në emisionet e tij në televizion. Aktualiteti në vetvete, pra faktet dhe lajmet të veçuara duket se nuk e tërheqin aq sa interpretimi i tyre. Është e qartë se për të nuk vjen lajmi i pari, por interpretimi ose opinioni.
Aq më tepër në një libër të tillë me natyrë reflektive, ku nuk bën as interpretuesin imediat të aktualitetit sikurse shpesh në formatet televizive por ka distancën e nevojshme kohore për t’i trajtuar më me nge çështjet dhe temat për të cilat shprehet. Nga ky kënd i ngadalësuar kohor arrin të vrojtojë më me shumë kritikë, për shembull, kryeministrin aktual Edi Rama dhe ta ngjyrosë edhe më “zi” se më parë ish-kryeministrin Sali Berisha.
Teprimet ose provokimet e Ramës dhe Berishës duket se nuk bien në rrezen e pranueshmërisë së provokuesit Nano. Asgjë për t’u qortuar këtu! Tjetër gjë është të provokosh nga pozita, pushteti dhe tjetër nga pozitat e një opinionisti të lirë. Dhe në fakt nuk është se autorit të këtij libri i bëhet shumë vonë për këtë, për ta thënë në mënyrën e tij.
Nuk e synon as në këtë libër dhe askund tjetër kriterin shkencor të analizës. Stilistika dhe strukturimi i mendimit janë ato që i interesojnë më tepër dhe pa dyshim ngacmimi i brendshëm për të provokuar. Këtë synim e mbërrin pa shumë mundim, për shkak të stilit të të shkruarit, por dhe statusit që ka fituar dhe lirisë që i jep vetes. Lirisë për të pasur një opinion dhe për ta mbrojtur atë duke e “bërtitur” fort”, shkruan Belina Budini në parathënien e librit./ KultPlus.com