31 Maj, 2022 - 11:30 pm
Muzeu Historik Kombëtar ka bërë të mundur daljen në dritë të revistës shkencore “Studime Muzeologjike”, i cili vjen sërish për lexuesin e interesuar, këtë herë në numrin 12 të tij si një botim special.
Artikujt e këtij botimi i kushtohen Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Muzeologjike “Muzetë përtërijnë të ardhmen”, e cila u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 40-vjetorit të inaugurimit.
Prej vitit 2002, një herë në vit, Muzeu Historik Kombëtar boton revistën “Studime Muzeologjike”. Gjatë viteve 2002-2004 kanë dalë rregullisht 3 numra të revistës. Por pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh, në vitin 2014 u realizua botimi i numrit 4 i revistës “Studime Muzeologjike”. Botimi ka vijuar edhe në vitet 2015 deri në numrin e 12 të tij në maj 2022.
“Studime Muzeologjike” është organ i Muzeut Historik Kombëtar. Si i tillë, ai është i përqendruar, por jo i kufizuar në tema dhe emrat e bashkëpunëtorëve.
Në numrin 12-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.
Në këtë kuadër numri special i revistës Studime Muzeologjike përmban fjalët përshëndetëse që u mbajtën në konferencë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë të Veriut, Valmir Aziri, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Skënder Gjinushi.
Revista përmban 21 shkrime me tema të ndryshme./atsh/ KultPlus.com