14 Nëntor, 2018 - 10:21 pm
Shkrimtari Namik Dokle, promovoi sot në stendën e Shtëpisë Botuese “Toena”, romanin ”Ditët e Lakuriqëve të Natës.
Romani i Dokles sjell një histori dashurie, që e lidh me vendlindjen e tij Gorrën. Kjo histori dashurie ndodh në vetëm gjashtë ditë.
”Po si jetohet kur të ndalojnë me dhunë të dashurosh? Çfarë ngjyre ka qielli, dielli, yjet dhe lulet? Ç’shije ka ajri, uji, puthja e munguar, përvëlimi i trupit në dëshirë? Ngjyrat dhe shijen e tërbimit”, – shkruan recesentja dhe redaktorja e librit Anrila Spahija.
Subjekti i këtij romani shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: “Sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca. Ajo vjen nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë asnjë mundësi të bëjnë dashuri. Në fshat mbizotëron një shtetrrethim i frikshëm mbi ndjesitë dhe nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet kanë veshur të gjithë, petkat e tyre prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare në diktaturë. Heshtja e frikshme mes banorëve për të artikuluar dyshimet, e pengon një profesor-shkencëtar të njihet shpejt me të vërtetën. Laboratori i tij nuk është thjesht shkencor, por kryesisht njerëzor” – shkruan Anrila Spahija.
Në këtë roman, ashtu si edhe në dy librat pararendës, autori Dokle ka lëmuar mjeshtërisht fjalorin e pasur të zonës, legjendat dhe mitet, ku realitetet magjike janë sërish pjesë domethënëse e rrëfenjës së autorit, i cili tashmë e ka të shtruar si kalldrëm, me gurët e skalitur, udhën e sigurt drejt lexuesit dhe letërsisë së bukur shqipe. /KultPlus.com