13 Maj, 2021 - 1:00 pm
Nga Arber Selmani
Nanën e laj me shumë kujdes. Të shumtën e herave, ajo, e vetme ka fuqi ta vendosë një shtrojerë që të mos bëhet qull tepihu jashtë vaskës dhe futet brenda, si një vazo me këmbë që kujdeset të mos thyhet, ta rregullojë ujin. I ka lëvizjet pothuajse motorike, të llogaritura mirë sekonda më herët në miqësi me neuronet e saj. Uji më tmerron, sepse nana zakonisht luan me ujin nën trupin e saj, eksperimenton derisa trupi i zhveshur e konfirmon se është i gatshëm për tu shplarë dhe se uji, herë i nxehtë e herë më i flladitur, me temperaturë të denjë, duhet të përputhet me secilën pjesë.
E zhveshur, aq kuantike në thellësinë e saj, nana e normalizon ujin dhe ngadalë hyn në një guacë mendimesh e dëshirash që unë pretendoj t`ia largoj me një shampon në lëkurën sipër trurit të saj: të mirat, shëndetin, harmoninë, mendimet që sjellin mirësi, shpresën për largim të depresionit, të stresit, ankthit, sikletit; disa mendime zënë vend në trurin e vogël, të tjerat në trurin e mesëm dhe atë të përparmë, dhe unë me fërkimet e mia mbi flokët e zeza të saj kam një ndjenjë se do të bëhet më mirë, kjo grua shumë probleme e shumë tmerre i ka mu në këtë kokë të sajën. Ndoshta unë jam ai që do ta shpëtoj, ndoshta bashkohem me ujin dhe të dytë largojmë diçka prej cipës trurore dhe nana çlirohet. Rinohet. Përtërihet. Mjaltësohet. Bash në kokë, te flokët, e mbajmë më gjatë edhe ujin edhe koncentrimin.
Nanën e laj siç e lan Universi ardhjen në jetë të një fëmije apo algën e tmerruar mbetur jashtë valëve të detit.
Përulshmërisht.
Nanën e laj siç lahet një fëmijë me autizëm nga babai i tij i vetmuar së cilit gruaja i vdiq para pak javësh.
Me përvuajtje. / KultPlus.com