19 Dhjetor, 2017 - 9:23 pm
Lorik Llanaj
Edicioni i pestë i çmimeve “Harpa”, mblodhi në një mbrëmje gala, figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
Ky eveniment i kthyer tashmë në një traditë, ka akorduar disa çmime, duke vlerësuar emra e personalitetet më të spikatura gjatë vitit 2017.
Në fjalën e çeljes së aktivitetit, presidentja e fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, u shpreh se aktivitete të tilla kanë si qëllim të promovojnë vlerat dhe kontribuuesit e artit dhe kulturës kombëtare.
“Në hapësirën tonë shqipfolëse ka me dhjetëra e qindra emra të spikatur në fushat ku ata veprojnë. Një pjesë e tyre, dalin jashtë vëmendjes vlerësuese për shkaqe harrimi. Ne po përpiqemi që t’u themi ‘Faleminderit!’, si emrave të shquar me kontribut disavjeçarë, ashtu edhe disa të rinjve të talentuar që premtojnë në fushat ku ata janë të fokusuar. Kultura është identitet i një kombi, prandaj ajo duhet të ketë më shumë vëmendje se të gjithë sektorët e tjerë”, – ka vijuar ndër të tjera Rama.
Pas përshëndetjeve të rastit nga prefekti i qarkut Fier, Baki Bala, kryetari i qarkut Fier, Vangjel Ndreka etj, nisi ceremonia e dorëzimit të çmimeve. Kështu, akademiku Ali Aliu dorëzoi çmimin e madh “Harpa” për aktoren Natasha Sela, si aktore e spikatur për interpretim me plastikë të veçantë, që dallohet për rolet e arrira femërore dhe lojë dinamike. Sela ndër të tjera falënderoi organizatorët ndërsa u përlot kur tha se çmimin ia dedikon te shoqit, aktorit të njohur, Fatos Sela, i cili nuk jeton më.
”Njeriu i vitit” u shpall publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, si promovues i vlerave të artit bashkëkohor shqiptar, me një rol të veçantë në ndërveprimin e kulturave franko-shqiptare.
Studiuesi Nasho Jorgaqi dorëzoi çmimin për poetin më të mirë të vitit, i cili shkoi për poetin Faslli Haliti, si autor me individualitet të lartë krijues, i mendimit dhe mesazheve të fuqishme, me ndikim të cilësuar në letërsinë tonë kombëtare.
Për aktorin Todi Llupi do të jepej çmimi i karrierës me motivacionin: “Një nga emblemat e humorit shqiptar. Një jetë të tërë ka ditur t’i dhurojë publikut mbresa dhe kënaqësi gjatë interpretimit të tij, përmes dhjetëra karaktereve të papërsëritshme”.
Veç shumë çmimeve të tjera, Fondacioni “Harpa” ndau edhe disa çmime In memoriam, në nderim të figurave që nuk jetojnë më, mes të cilëve poetit Dritëro Agolli “Për kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë tonë kombëtare. Personalitet i shquar i letrave, duke na lënë pas një trashëgimi të çmuar në mbarë kulturën shqiptare”, kompozitorit Aleksandër Lalo si “Emër i shquar i muzikës shqiptare, duke i sjellë asaj një erë të re zhvillimi. Një kompozitor i shkallës sipërore, që krijoi kolanë të veçantë dhe në filmin shqiptar” dhe aktores Hajrie Rondo si “Një aktore e madhe, mjeshtre e aktrimit, që u bë e përjetshme me rolin e Tanës, por duke gdhendur dhe një mori të gjerë personazhesh të të gjitha tipologjive”. / KultPlus.com