20 Dhjetor, 2020 - 3:55 pm
Ministria e Kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në një ceremoni ka ndarë çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2019, shkruan KultPlus.
Nën praninë e shkrimtarëve fitues dhe aktorëve të cilët sjellën interpretimet artistike u organizua ceremonia në të cilën u shpërblyen disa emra të letërsisë.
Juria e kryesuar nga poetja Natasha Lako dhe anëtarët: Lindita Arapi, Sadik Bejko, Thoma Jançe, Ermir Nika kishte vlerësuar të gjitha veprat e konkurrentëve, teksa kishte vendosur se cilat veprat meritojnë të shpërblehen.
Romani më i mirë 2019, u shpall vepra “Diktatori në kryq” nga Mira Meksi. Juria kishte vendosur për dhënien e këtij çmimi ndaj Meksit për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më.
Llambro Ruci me veprën “Iliada” fitoi çmimin përkthimi më i mire 2019, teksa motivacioni për këtë ishte: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.
“Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” nga Matteo Mandala u vlerësua si vepra studimore më e mire 2019, për motivacionin: “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, dhe ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.
Në anën tjetër, ishte Romeo Çollaku ai i cili fitoi çmimin përmbledhja me tregime më e mire 2019 me veprën “Mikrobus”. Këtë e arriti për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri.
Për çmimin vëllimi poetik më i mire 2019, vepra “Shtjellë reje, shtjellë zjarri” e Alisa Velaj u vlerësua për shkak se libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.
Shkëlzen Zalli fitoi çmimin letërsia për fëmijë më e mirë 2019, nëpërmjet veprës “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli” me motivacionin:
“Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë”.
Aktorët e Teatrit Kombëtar, Ina Gjonçi dhe Dritan Boriçi u kujdesën për interpretime artistike. / KultPlus.com