Ndahen çmimet në Panairin e Fierit 2018-të

14 Maj, 2018 - 12:30 pm

Edicioni i pestë e këtij evenimenti të rëndësishëm mbi librin që është hapur prej disa ditësh në qytetin myzeqar, është kurorëzuar sot në mesditë me ndarjen e cmimeve të panairit. Juria e panairit e përbërë nga Klara Kodra, (kryetare) dhe Nasho Jorgaqi e Ymer Çiraku (anëtarë), veçoi ndër të tjerash 5 çmimet e mëdha të këtij edicioni.

Kodra në fjalën e saj u shpreh se në raste të tilla, është vështirë përzgjedhja por veprat që u veçuan këtë vit, ishin, thellësisht të dukshëm dhe cilësorë. “Nga 129 libra të paraqitur nga autorë e botues në këtë edicion, ne mbërritëm të afrohemi tek veprat më të mira, derisa erdhën në fazën e fundit të seleksionimit.

Unanimisht vendosëm që të japim çmim për kritikë letrare, monografi, të japim dy çmime për poezi dhe një për fëmijë. Nuk kemi dhënë cmim për roman, pasi gjykuam që prurjet e paraqitura në konkurs nuk pëmbushnin kriteret artistike që ne kërkonim”, ka thënë kryetarja e jurisë, Klara Kodra.

Çmimi për librin kritik më të mirë shkoi për akademikun Ali Aliu, me motivacion: “Për librin ‘Urtia e fjalës’ në të cilin bashkon mjeshtërisht autorë të periudhave dhe epokave të letërsisë si dhe vepra zhanresh të ndryshme, që krijojnë një botë unike të hapësirës dhe të kohës letrare të shqipes”.

Çmimi për studimin monografik më të mire iu dha akademik Shaban Sinanit, me motivacion: “Për librin ‘Hieronymi në botën arbëreshe’, nëpërmjet të cilit autori sjell me mjeshtëri riintegrimin e De Radës në letrat shqipe, duke e pasuruar me elementë të veçantë dhe këndvështrim të ri”. Sadik Bejko u vlerësua për librin poetik më të mire, me motivacion: “Për librin ‘Këngë të Solomonit’ – simbiozë e veçantë mes paraqitjes së zvetnimit të vlerave shpirtërore dhe vizionit për vazhdim, duke sjell një kozmos të gjerë letraro-filozofik”.

Po një tjetër çmim në poezi shkoi në Kosovë për Ismail Sylën më motivacion: “Për sjelljen e zërit patriotik, të shkarkuar nga ngarkesat e euforisë, duke paraqitur një trend të ri të kësaj fryme”.

Ndërkohë, e reja e talentuar po nga Kosova, Erinë Rrahmani triumfoi me çmimin për librin më të mirë të letërsisë për fëmijë, me motivacion: “Për librin ‘Ëndrra prej letre’ me të cilin del nga kornizat dhe konvencat e njohura, duke plotësuar trinomin imagjinatë – kërshëri – lojë”. Në këtë edicion u ekspozuan 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë e 500 ishin të rinj. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse./ KultPlus.com

Të ngjajshme