29 Maj, 2018 - 4:20 pm
Mbrëmë është mbajtur Ceremonia Finale e Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018” (Edicioni IV, Seksioni I) ku u shpallën edhe fituesit e kësaj gare, shkruan KultPlus.
Me cmimet e para u shpërblyen Enejda Çullhaj nga gjimnazi “Myslym Keta” në poezi, Danja Nako – gjimnazi “Sami Frashëri” në ese dhe Sindi Bego nga gjimnazi “Ismail Qemali” në prozë/
Çmimet e dyta shkuan për Vangjush Kace nga gjimnazi “Qemal Stafa” në poezi, Andri Peka nga gjimnazi “Qemal Stafa” në ese, Fatime Lika nga gjimnazi “Qemal Stafa” në prozë. Me çmimet e treta u shpërblyen Venera Idrizaj nga gjimnazi “Sandër Prosi” në poezi, Spiro Lezo nga gjimnazi “Arsakeio e Tiranës” në ese dhe Elsa Hima nga gjimnazi “Arben Broci” në prozë.
Festivali Letrar për të Rinj “Tirana 2018” (Edicioni IV, Seksioni I) u realizua si rezultat i bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe Promocionit me Bashkinë e Tiranës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Botimeve Toena.
Ky seksion iu dedikua nxënësve të të gjithë gjimnazeve të Tiranës dhe rrethinave, të cilët e panë këtë Festival si një mundësi për t’u qasur drejt fushës së letërsisë.
Fituesit u përzgjodhën nga juria e Festivalit, e përbërë nga personalitete të fushës së letërsisë dhe gazetarisë: Ylljet Aliçka, Diana Çuli, Sonila Meço.
Trofetë iu dorëzuan fituesve nga shkrimtarë të mirënjohur dhe drejtues të Bashkisë Tiranë:
Diana Çuli – shkrimtare, Behar Gjoka – studiues i letërsisë, Ylljet Aliçka – shkrimtar, Zija Çela – shkrimtar, Arta Marku – gazetare, Ana Kove – poete, Abaz Hido – studiues arti (nënkryetar i Bashkisë Tiranë), Julinda Dhame – drejtoreshë e promovimit të qytetit në Bashkinë Tiranë dhe Irena Toçi – organizatore e Festivalit Letrar (Botuesja e Toena-s).
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituesit interpretuan krijimet e tyre të shoqëruar nga interpretimi i talenteve të reja që performuan me violinë, kitarë dhe tastierë elektrike. Krijimet e 34 gjysmëfinalistëve u përfshinë në një Antologji./ KultPlus.com