9 Korrik, 2018 - 4:20 pm
Vetëm dy ditë më parë, Llambro Ruci shpërndau në rrjetin e tij në Facebook këtë shprehje lapidare nga Dostojevski “Ne i vrasim të gjithë në jetë, miku im: Dikë e vrasim me plumba, dikë me fjalë, një tjetër me vepra… dhe dikë tjetër e vrasim duke mos bërë asgjë, me gjërat që duhet t’i kishim bërë”.
Dje poeti, përkthyesi, gazetari dhe studiuesi Llambro Ruci u nda papritmas nga jeta në moshën 72 vjeçare duke shkaktuar një dhimbje të thellë te familja e tij dhe duke lënë pa fjalë miqtë dhe shokët e tij të shumtë, që tashmë nuk janë vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë, sidomos të botës së letrave.
Të shumtë dhe nga të gjitha anët ishin miqtë dhe të njohurit e tij që i shprehën familjes ngushëllimet më të sinqerta duke bërë dhe vlerësime më të larta për të si një personalitet i shquar në fushën e letrave.
Llambroja lindi në Dhërmi në vitin 1946, në fshatin ku ka lindur edhe shkrimtari i madh Petro Marko. Pavarësisht se pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Tiranë dhe në qytete të tjera, shpirti i tij nuk u nda për asnjë çast nga Bregu i detit, nga Dhërmiu dhe Himara, bukuritë dhe shpirtin e të cilave ai i plazmoi në krijimtarinë e tij të shumanshme, në poezi e prozë, në monografi, reportazhe e studime shkencore.
Por lidhjen e fortë me Himarën, ai e përmblodhi disa vjet më parë në librin voluminoz “Himara, Zëra e Akrokerauneve: rrëfime, përshkrime, dokumente dhe këngë”, një punë që i ka kushtuar shumë e shumë vite punë hulumtuese dhe analitike.
Rrugëtimin e tij në fushën e letrave ai e filloi si poet në vitet ’60 duke botuar me dhjetëra vëllime me poezi, përfshi edhe letërsinë për fëmijë. Poezia e tij shquhej për origjinalitet, ndjeshmëri të lartë, lirizmin e hollë dhe ngrohtësinë njerëzore që transmetonte. Llambro Ruci ka punuar si gazetar dhe kryeredaktor në disa organe qendrore të shtypit letrar, si “Drita”, “Nëntori” (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve), revistën “Ylli” etj.
Duke qenë se dinte shkëlqyeshëm greqishten (pasi kishte lindur në një fshat greqishtfolës) ai ishte prej shumë vitesh një ndër përkthyesit më të spikatur nga kjo gjuhë në poezi dhe prozë. Ndër veprat më të rëndësishme të përkthyera prej tij janë “Odisea” nga Homeri, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, e autorit Kostas Varnalis, poezi nga Konstatin Kavafis, Jorgo Seferis, Safo, Elitis e dhjetëra autorë të tjerë grekë, klasikë e modernë.
Përkthimet e Llambros shquhen për skrupulozitetin e tij për t’i qëndruar sa më pranë origjinalit greqisht, por edhe për ta sjellë atë sa më ëmbël dhe më bukur në shqip. Ai nuk ngutej që t’i butonte shkujdesshëm këto përkthime, pasi e çmonte vlerën e tyre, ndaj dhe u kthehej e rikthehej disa herë para se ato të shihnin dritën e botimit. Këtë punë ai e bënte me një përgjegjësi të lartë, jo vetëm se ishte vetë krijues, por edhe për faktin se një sërë nga autorët që ai sillte në shqip, ishin përkthyer edhe nga autorë të tjerë./ gazeta dita