1 Prill, 2022 - 11:15 pm
Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin e shquar Ndriçim Kulla.
Në ceremoninë solemne të dekorimit, merrnin pjesë ish-kryeministri prof. dr. Sali Berisha, prof. i Shkencave të Filozofisë Gjergj Sinani, prof. dr. Josif Papagjoni, shkrimtarja Nadire Buzo, studiues, akademikë, politikanë dhe intelektualë.
Presidenti Meta u shpreh se, “nderimi për studiuesin, publicistin dhe botuesin Ndriçim Kulla është vlerësim ndaj kontributit të një intelektuali, i cili përbën shembull unik në krijimin e vlerave të mëdha kulturore e shkencore me rëndësi kombëtare. Me aktivitetin e tij, zoti Kulla ka kryer një kontribut për të cilin ndoshta do të duhej të punonin stafe të tëra të një Akademie, duke realizuar një mision të rëndësishëm në rivlerësimin e mendimit shqiptar. Nuk duhet harruar kontributi me vlerë i këtij intelektuali për mbledhjen dhe botimin e veprave të shkrimtarëve të persekutuar dhe të burgosur politikë nga regjimi komunist. Krahas veprimtarisë botuese, Kulla është autor i 36 librave në gjini të ndryshme të cilat janë një kontribut me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare. Janë të njohura veprat e tij si ‘Historia e mendimit shqiptar’, ‘Kush jemi ne shqiptarët’, ‘Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar’ në tre vëllime voluminoze, ‘Antologjia e Mendimit Shqiptar’, ‘Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane’, ‘Neoshqiptarizma një model i braktisur’, ‘Biografi e Ismail Kadaresë – nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme’, ‘Ylli i Shkrimtarit’ dhe vepra të tjera.
“Vlerësimi sot për zotin Ndriçim Kulla me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ është dëshmi e respektit, obligimit dhe nderimit, për gjithçka që ky personalitet ka bërë për shoqërinë shqiptare, si një intelektual atdhetar dhe i përkushtuar, me kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare. Ky vlerësim është një nderim edhe ndaj çdo intelektuali, studiuesi, krijuesi e botuesi shqiptar të përkushtuar ndaj kauzës së atdheut dhe kulturës sonë kombëtare”, theksoi Meta./ KultPlus.com