12 Mars, 2020 - 9:00 pm
Në fillim të vitit e shihnim Kinën më shumë me mosbesim se sa me shqetësim. Virusi dukej një zjarr aziatik, i largët. Kush do të dinte të shënonte Wuhanin mbi një hartë? Nuk kishim arsye të trëmbeshim. Së paku jo si Vend: do t’ishte infektuar një grusht udhëtarësh të zellshëm mes dy kontinenteve, por asgjë që të kishte të bënte me “popullin italian”. Ishte paragjykimi i tjetërkundit, ka shkruar Paolo Giordano dje tek Corriere, duke vazhduar një arsyetim të nisur më 25 shkurt mbi evidencën matematike të infektimit. Në pika të ndryshme, por mjaft të afruara, Pekini dhe Milano janë gjendur në të njëjtën vijë kohore. Ai paragjykim, siç ndodh shpesh ishte një mashtrim. Mashtrimi i tjetërkundit.
Të qëndrojmë atëherë mbi atë vijë e të lexojmë lajmet që vijnë sot nga Wuhani, kryeqendra e një province qëndrore të Republikës popullore, Hubeit, ku jeton një popullsi që përkon me numurat e asaj italiane (më shumë se 60 milion banorë). Dje të infektuarit e rinj në Wuhan ishin 36. Për të dytën ditë rradhazi, asnjë i infektuar i ri nuk është njoftuar në pjesën tjetër të Kinës. Me krenari, por dhe me dëshirën për të përmbysur me shpejtësi paraqitjen e Vendit nga fajtor në virtuoz, regjimi tregon fotografitë e spitaleve të masave të jashtzakonshme duke u zmontuar.
Do të kuptojmë shpejt nëse epidemia po zbrapset përfundimisht në vendet ku ka lindur; ndërkaq të provojmë të shohim se si mund të fusim në Itali marshin përmbrapa që të vrapojë paralelisht. Pyetja që të gjithë bëjnë, madje edhe vetes në këto orë është e drejtë dhe e thjeshtë: a mundet një demokraci klasike evropiane të durojë të njëjtën terapi që ka ndaluar shoqërinë dhe ekonominë kineze për rreth provincës së Hubeit? Mbyllje me breshëri të zyrave, dyqaneve e fabrikave; ndalesë e të gjitha zhvendosjeve të brëndëshme; kontroll në rrugë dhe masa ndëshkimore të ashpra; familje të bllokuara në shtëpi prej më shumë se një muaji me harxhet e dorzuara në portat e pallateve; deri edhe në ndërprerjen e kampionatit të futbollit pa asnjë farë diskutimi….
Si mund të gjejmë një strategji, të jashtzakonshme e tonën, t’aftë të verë në të njëjtën vijë demokracinë dhe gjëndjen e jashtzakonshme, duke i u përgjigjur kështu edhe dyshimeve të New York Times sa i përket aftësisë / paaftësisë italiane të respektojë (e jo t’i bëjë dredha përjetësisht) rregullave?
Në këto ditë – që e dijmë se janë të fundmet përcaktuese për të shmangur rënien e spitaleve – secili prej nesh ka qënë i pranishëm i tmerruar para ikjes kokëkrisur nga Veriu të mijra banorëve drejt krahinave jugore të origjinës (guvernatori Emiliano ka numuruar 9362 puliezë të kthyer). Kemi parë fotografitë e parqve milaneze plot djem e vajza në një të djelë me diell sikur të festonin fundin e dimrit. Jemi frikësuar para pamjeve dolomitike të turmës në rradhë para impianteve të skive. Kemi pushuar së buzëqeshuri për guximin e atij që thyen karantinën e vëndit të tij për të shpëtuar “së paku fëmijët”e për atë që nuk arrin të gëzohet së largu për një gol me porta mbyllur. Mbi të gjitha kemi pyetur (pa marrë asnjë shpjegim) si mundet që brënda “zonës së re të sigurisë” nuk ka mbetur zona e kuqe origjinale, për të lajmëruar një zonë edhe më shumë të ruajtur. Të dhënat e infektimeve a janë të njëjtat?
E vërteta është se kemi arritur tani në mënyrë të paorganizuar në një udhëkryq që na detyron zgjedhje të qarta e përfundimtare. E që kërkon tani vendosmërinë e atyre që na drejtojnë e na mbarështojnë të bëjnë të respektohen rregullat e veçimit e të mbrojtjes, të nevojshme për bashkësinë. Shteti që na përfaqëson duhet të gjejë masat e duhura në rastet e indisiplinimit. N’emër të këtij që është një objektiv kombëtar, e të vetëdijshëm për atë vijë të përkohëshme që ka bashkuar në një sërë të shpejtë Pekinin – Milanon – Romën – jugun – pjesën tjetër të botës, ka kuptim të shtrijmë te të gjithë krahinat masat e parashikuara nga nata e 8 marsit për zonën portokalli. Për italianët perimetri i “sigurisë” nuk mund të mos përkojë me kufijtë e gjithë Vendit. Nuk mund të ketë më as moskuptime ndërmjet qytetarëve dhe as kapërcime ndërmjet provincave. As shpërngulje në të kundërt as kushte të posaçme për Veneton që, për fat e meritë, ka numura në përmirësim.
Ka ndonjë që këshillon në këtë kalim qënësor e pa kthim, përdorimin e ushtrisë. Nuk ka nevojë të ushtrizojmë Vendin, ushtarët mund të ndihmojnë policinë e karabinjerët në terren – dhe pjesërisht e bëjnë – siç ka ndodhur në raste të tjera spikamash, që nga fatkeqësitë natyrore tek terrorizmi.
Frika e madhe, natyrisht, është ndalimi i ekonomisë kombëtare. Regjimi i Pekinit ka mundur t’i lejojë vetes ngrirjen e gjithshkaje e të gjithëve, ekonomi e shoqëri, duke siguruar që “dora e shtetit” do të përballojë kostot e krizës si edhe të gjallërimit. Përsëri do të kemi nevojë për të gjetur rrugën tonë, perëndimore e liberale, për të projektuar të pritmen e për të kufizuar që tani dëmet e spread-it. E përsëri përgjigja e jonë ekziston: është Evropa, e mbetur deri tani pothuajse pa zë në mes të të dhënave jo simetrike të Shteteve antarë.
Ndërrimi i hapit që i kërkojmë atij që merr vendimet e vigjëlon mbi respektimin e normave rrënjësore na takon neve. Në mbrojtjen këmbëngulëse të një stili jetese mbiveprues, të themeluar mbi lëvizjen e sfidën, me gjasë ndihemi më të fuqishëm. Në të vërtetë jemi robër të një përtacie që bie në sy menjëherë: nuk arrijmë të konceptojmë më vështirësinë, nuk arrijmë të përballojmë mundimin e të ndërruarit të sistemit të jetesës, mundin e ngadalësimit, e të qëndruarit të ndalur për të mirën e të tjerëve. Dhe tonën.
“Corriere della Sera”, 9 mars 2020. E përktheu Eugjen Merlika /KultPlus.com