27 Korrik, 2018 - 7:52 pm
Këshilli Organizativ i ceremonisë së varrimit të veprimtarit të shquar Adem Demaçi, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se ceremonia komemorative do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 08:30.
Ndërsa dje, përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentit të Kosovës, teksa ishte bërë me dije se Hashim Thaçi ka marrë vendim që Adem Demaçi të varroset me ceremonitë më të larta shtetërore duke emëruar edhe Këshillin Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit, ishte shfaqur edhe agjenda për ditën e shtunë.
“Të shtunën, në ora 09:00 Garda e Nderit do të sjell kortezhin në sallën “1 Tetori” në Prishtinë e ku në ora 09:30 do të fillojë Ceremonia komemorative. Nga ora 10:00 do të fillojnë fjalimet e liderëve të institucioneve të Kosovës dhe rajonit. Në ora 11:00, kortezhi do të niset nga salla “1 Tetori” dhe do të lëvizë në itinerarin “1 Tetori” nëpër rrugët “Bill Clinton”, “Xhorxh Bush”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi “Nëna Tereze”, sheshi “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, rruga “Rrustem Statovci”, rruga “Isa Kastrati” deri tek Varrezat e Dëshmorëve ku do të varroset kolosi Adem Demaçi. Pas përfundimit të ceremonisë komemorative, kortezhi së bashku me qytetarët do të niset drejt varrezave të Velanisë”, ishte thënë në njoftimin e djeshëm për agjendën.