13 Shkurt, 2019 - 11:35 am
Jeta Zymberi
Akademiku Idriz Ajeti, ndërroi jetë sot në moshën 102 vjeçare duke shënuar kështu një humbje të madhe për popullin shqiptarë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 27 janar të vitit 2017 organizuan Konferencën jubilare-shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit, shkruan KultPlus.
Në mesin e shumë miqve, studiuesve e njerëz të institucioneve, u nderua doajeni, gjuhëtari, albanologu dhe profesori i gjuhës shqipe, vepra e të cilit flet më shumë se fjalët, por megjithatë të gjithë kishin diçka të madhe për të thënë për këtë figurë të shquar për popullin shqiptarë, i cili në këtë 100 vjetor kishte ardhur i nderuar dhe ishte ulur për të dëgjuar gjithë ato fjalë që u thanë për të.
Në fillim të kësaj konference u tha që profesori Idriz Ajeti ka 3 data të lindjes të shënuara, por që 27 janari është data e lindjes së tij e cila edhe është shënuar në pasaportën e tij, e pikërisht kjo datë ishte zgjedhur për tu shënuar lindja e profesorit. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në atë kohë, akademik Hivzi Islami, mori fjalën fillimisht, i cili theksoi se kohët e shkuara të shqiptarëve ishin të rënda, por dijetarët tanë ishin njerëz të veçantë të cilët kontribuuan shumë për vendin.
“Kur përmendet emri i profesorit në mjedisin tonë akademik, kulturor dhe shoqërorë, të gjithë e dimë që bëhet fjalë për profesor Idriz Ajetin, sikur në Tiranë kur përmendet emri i Eqrem Çabej. Historia e gjuhësisë dhe shkencave albanologjike dhe e kulturës shqiptare nuk mund të merret me mend pa profesorin Ajetin”, ka thënë ndër të tjera Islami. Me këtë rast, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar profesorin me Medaljen për Merita të Jashtëzakonshme në Fushën e Shkencës, Arsimit dhe Kulturës. Por në pamundësi që të ishte i pranishëm dhe të ja jap dekoratën, ajo do të dorëzohet me një rast të veçantë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema, e vlerësoi porfesorin Ajeti si një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, kulturës dhe arsimit në Kosovë. “Me emrin e tij lidhen një varg procesesh që janë zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, procese këto të cilat i sigurojnë profesor Idrizit vend meritor në formimin dhe zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shkencore. Emri i tij tashmë është i skalitur në opusin e shkencës dhe arsimit në Kosovë. Universiteti i Prishtinës e konsideron Ajetin si xhevahir të tij dhe i është skajshmërisht falënderues për punën, mundin dhe djersën e derdhur në këtë Universitet. Figura morale dhe atdhetare e tij do të shkëlqejë gjithnjë në panteonin e qytetërimit të kulturës sonë kombëtare. Lum ne që të kemi”, përfundoi fjalën e tij rektori Dema.
Kjo Konferencë jubilare-shkencore që u organizua me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit vazhdoi përgjatë tërë ditës ku u lexuan edhe shumë kumtesa të tjera nga njerëz të artit, shkencës e dijes.
Akademik, Idriz Ajeti ishte edhe anëtarë nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, andaj Akademia e Shkencave të Shqipërisë kishte vendosur që me këtë rast edhe ta nderoj profesorin me një çmim, për të cilin doli të flasë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti, ka thënë që kjo ditë është e shënuar sepse 100 vjet më parë ka lindur Idriz Ajeti, dijetari me kontribute origjinale në gjuhësi dhe personalitet me ndikim në historinë e vendimit shqiptarë, një figurë e shquar e shkencës albanologjike.
Në raste të tilla, përvjetorë të mëdha ka edhe vlerësime të tjera dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ka organizuar për herë të parë dhënien e çmimeve shkencore kombëtare për kontribute në fushat e shkencave albanologjike, dhe juria e këtij çmimi, ka nderuar akademik Idriz Ajeti me Çmimin e Karrierës, i cili jepet për herë të parë nga kjo Akademi. Këtë çmim dhe diplomën përkatëse, Muzafer Korkuti ia dha profesorit Ajeti, duke u përcjellë me duartrokitje të shumta.
Kjo konferencë do të mbahet mend si një ngjarje ku profesori Idriz Ajeti u nderua për së gjalli me dy çmime dhe dëgjoi kumtesat e shumë miqve e kolegëve për jetën dhe veprën e tij të shquar. /KultPlus.com