23 Shtator, 2022 - 7:01 pm
Flonja Haxhaj
Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, shkrimtari Zejnullah Rrahmani ka promovuar veprat ‘Djemtë e Ballofcit’ dhe ‘Deti i zi’. Në promovimin e mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare folën: Ali Aliu, Sabri Hamiti, Nysret Krasniqi, Kujtim Rrahmani, Meliza Krasniqi, Avdi Visoka, Xhavit Beqiri, përcjell KultPlus.
I pari mori fjalën studiuesi i letërsisë Ali Aliu i cili e vlerëson Zejnullah Rrahmanin si një shkrimtar ndryshe nga të tjerët.
“Për shkrimtarin Zejnullah Rrahmanin mund të them se është i veçantë dhe i vetmi në letërsinë shqipe sepse ai asnjëherë në asnjë botim të tij nuk vjen me të njëjtën veshje narrative.” , shpreh Aliu duke vënë më pas në pah ‘thyerjet’ që sipas tij janë karakteristikë e krijimtarisë letrare të Rrahmanit.
“Ai u paraqit si shkrimtar i pjekur, si shkrimtar me përvojë që në moshën para se t’i mbushë 20 vjet, në fillim të 70-ave, ai erdhi me dy romane ‘Zanoret e humbura’ dhe ‘Sheshi i unazës’. Me një narracion klasik edhe për nga tema edhe për nga personazhet që i solli edhe për nga vizioni ideor brenda, gati se e hutoi opinionin letrar në Prishtinë”, u shpreh ndër të tjerash Aliu duke folur për librat e mëhershëm të Rrahmanit.
Ndërkaq, për të folur më tutje për veprën e shkrimtarit Zejnullah Rrahmani, fjalën e mori profesori Sabri Hamiti.
“Libri ‘Djemtë e Ballofcit’ nga Zejnullah Rrahmani është libët binjak me librin tjetër ‘Tregimet e Ballofcit 2008’. Në njërin karakterizimi letrar përqendrohet në rrëfim, në tjetrin në personazh, ndërsa Ballofci del kaq i lidhur me autorin dhe këndvështrimin e tij’, tha Hamiti.
Më pas, profesori Nysret Krasniqi dha para të pranishmëve këndvështrimin e tij rreth krijimtarisë letrare të Zejnullah Rrahmanit.
“Pikëpyetja themelore që bën Zejnullah Rrahmani në prozën e tij ‘Deti i Zi’ është pikërisht aforia se çfarë relacioni, ndikimi, profesioni e pasioni, krijon e ushtron dashuria si universalitet në dashurinë njerëzore, personale, në këtë rast në raportin gjenerik mashkull – femër e cila doemos, për mjeshtrin e vetmisë, pra për autorin, përkthehet si dhimbje, si udhë jetësore dhe krijimtare”, u shpreh Krasniqi duke folur për veprën që sot u promovua.
E për veprën ‘Djemtë e Ballofcit’ që u promovua sot nga shkrimtari Rrahmani, foli edhe studiuesi i Letërsisë Shqipe në Institutin Albanologjik në Prishtinë, Kujtim Rrahmani.
Sipas Rrahmanit, vepra e Zejnullah Rrahmanit të jep kënaqësi si për llojin estetik. Ai ngre paralele përmes metaforës duke e cilësuar krijimtarinë letrare të shkrimtarit si një ‘Letërsi të gishtit’.
“Nëse letërsia shqipe mund të shihet si një rrëfim, kam njohur dy vrulle të mëdha të njohura poetike, shtegun e Barletit dhe atë të Kristoforidhit. Barletit si heroike, poetike, bashkësi dhe të Krostoforidhit si poetikë gjueti apo si aventurë, kurse shkrimtrari Rrahmani është ndër ata pak autorë të kësaj letërsie që u tërhoq nga të dy krahët’, deklaroi, Rrahmani duke e cilësuar të veçantë krijimtarinë letrare të tij.
Për studiuesen e letërsisë, Meliza Krasniqi, Libri i fundit i Zejnullah Rrahmanit ‘Djemtë e Ballofcit’, në planin tematik trajton pikërisht mëkatet me të gjithë motivet okazionale të fajeve dhe gabimeve njerëzore. Sipas Krasniqit duke u nisur nga mëkati fillestar i Adamit dhe Evës, një faj që bie ndesh me vullnetin hyjnor, si diçka e veçantë, libri shpërfaq edhe gabimin njerëzor në gjitha pamjet e keqbërjes së një njeriu të zakonshëm në ditët e sotme si një gabim i përgjithshëm.
“Arti i Rrahmanit’ krijon modele mëkatesh univerzale dhe të gjithëkohshme. Vepra letrare nuk nis sikurse çdo libër prozë, ajo nuk përfill kufirin apo pragun sikurse pragu i shtëpisë midis tekstit dhe jotekstit. Themi kështu sepse në paratekstin e veprës nuk hasim në ndonjë përmbajtje që tregon kapituj, por nuk definon apo përcakton zhanrin, elemente këto që mundësojnë hyrjen më të sigurtë në një libër. Prandaj aktori ka bërë përpjekje të suksesshme për t’u vetëpërmbajtur duke lënë që libri të flasë vetë dhe lexuesi semiotik dhe semantik t’i shpalosë rrugëtimet”, u shpreh mes tjerash Krasniqi.
Më pas, fjalën e mori profesori Avdi Visoka i cili u shpreh se Zejnullah Rrahmani, e rikthen lexuesin ne Ballofc me ‘Djemt e Ballofcit’ duke vendosur ndërlidhje mes reales dhe fiktives.
“Zejnullah Rrahmani njihet si autor që i thyen kontratat zhanrore, kështu ai i pasuron dhe i zëvendëson ato. Kësaj radhe me librin e tij ‘Djemtë e Ballofcit’, është komponues i afreskeve të llahtarshme që përbëhen nga 22 copa pikturash, grafikash e teknikash të ndryshme të cilat janë të organizuara në mënyrë korrekte”, tha Visoka i cili më tutje shtoi se për autorin, kthimi në vendin e lindjes do të thotë kthim në lindjen e vendit dhe besës.
E më tutje, profesori Xhavit Beqiri, i cili ka qenë edhe student i shkrimtarit Rrahami, foli para të pranishmëve për veprën Deti i Zi.
“Në botën e ligjërimit artistik, sintagma ‘Deti i Zi’ konoton një numër të madh kuptimesh, Detin, simboli i thellësisë dhe i së kaluarës, nxit përherë kureshtjen për krijime joreale dhe imagjinative”, tha Beqiri i cili mes tjerash tha se Deti i Zi mund të cilësohet edhe si mister i jetës, për ta njohur dhe për ta jetuar atë në plotninë e saj.
I pranishëm në këtë promovim ishte edhe Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese ‘Onufri’, shtëpi kjo e cila ka botuar për herë të parë veprën e Zejnullah Rrahmani. Hudhri e quan arritje shumë të madhe këtë bashkëpunim të parë mes autorit dhe ‘Onufrit’.
Ndërkaq botimin e këtyre librave e mundësoi edhe shtëpia Botuese ‘Faik Konica’. E nga kjo Shtëpi Botuese foli shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani, i cili është edhe vëllai i autorit Zejnullah Rrahmani.
“Më duhet t’u them vetëm dy fjalë për fëmijërinë e tij pasi i kemi diku 12-13 vjet diferencë. Mbaj mend në ditën e lindjes së tij në shtëpinë tonë me katër fëmijë, ky ishte i pesti dhe me dy vëllezër të tjerë pas tij. E trashëgoi emrine gjyshit, prandaj do të ketë qenë edhe më i dashuri për prindërit. U rrit si gjithë fëmijët e tjerë të katundit të tij. Filloi herët të mësojë shkrim e lexim”, u shpreh Rrahmani duke folur për fëmijërinë e vëllait të tij e duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen.
E krejt në fund, fjalën e mori edhe vetë shkrimtari Zejnullah Rrahmani i cili mes emocionesh thotë se tani që është 70-vjeçar, kur kthehet prapa në kohë dhe e shikon jetën e kaluar të tij, është pak a shumë ashtu siç e shikon një shkrimtar një histori të cilën dëshiron ta shkruajë, me dashuri edhe kur është e keqe dhe e rëndë, me distancë edhe kur është emocionale dhe e rëndësishme.
“Kjo distancë dhe paanësi ndaj të kaluarës dhe historisë dhe historisë së shkruar, njësoj larg prej mikut dhe armikut është pozicioni ideal i një tregimtari epik çfarë synoj unë. Pak a shumë, me këtë hapësirë mitike dhe reale, me paanësi ka treguar historitë e veta narratori në veprën ‘Djemtë e Ballofcit’, u shpreh ndër të tjerash autori Rrahmani.
Përveç këtyre veprave, Rrahmani është edhe shkrimtar i veprave të tjera si : “Zanoret e humbura”(1974), “Udhëtimi i një pikë-uji”(1976), “E Bukura e Dheut”(1977), “Sheshi i Unazës” (1978, 1982, 1990), “Udhëtimi arbdhetar”(1992), “Mjeshtri i vetmisë”(1995), “Romani për Kosovën”(2000), “Jusufi”(2000), “99 rruzaret prej smaragdi”(2006), “Iluminacion” (2008), “Tregimet e Ballofcit”(2008), “Lypësi dhe Sophia”(2011), “Pesë vakte”(2013), “O njeri”(2019)./ KultPlus.com