Në 77 vjetorin e lindjes, poeti dhe studiuesi Agim Vinca nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga Kolegji AAB

22 Maj, 2024 - 9:03 pm

Kolegji AAB, sot ka organizuar një ceremoni të veçantë me rastin e ditës së lindjes të poetit dhe studiuesit Agim Vinca, duke e nderuar me titullin “Profesor Nderi”.

Ceremonia u mbajt në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, ku u vlerësua kontributi dhe roli i rëndësishëm që Vinca ka dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë. Prorektorja e Kolegjit AAB ndërsa moderoi këtë ngjarje, e cilësoi Vincën si emer të dijes dhe frymëzimit, duke shtuar se kontributet e tij në arsim dhe letërsi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në qarqet akademike por edhe përtej.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të pranishmit dhe tha se institucioni jep vlerësime të rezervuara për individë me merita të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi personalitetet e shquara që kanë marrë titullin “Profesor Nderi” deri tani.

“Profesor Vinca, duke ju dhënë titullin “Profesor Honoris Causa”, ne ju njohim jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm letrar, por edhe kontributin e madh në arsim si dhe angazhimin e palëkundur në kërkimin e së vërtetës, të bukurës dhe të drejtësisë. Ju, duke pranuar këtë titull, na nderoni edhe ne si kolegë e si institucion, ku gjithashtu keni dhënë kontributin tuaj si profesor, por edhe si anëtar bordi”, u shpreh rektori Olluri.

Poeti i mirënjohur Lulzim Tafa, solli disa nga kujtimet më të bukura që ka me Vincën si një mik i tij, por edhe figurë e dalluar në fushën e poezisë. Ai citoi disa vargje dhe tha se zëri i tij ishte i lartë dhe i fuqishëm edhe kur ka qenë vështirë të flitej. Kurse figurën e tij Tafa e cilësoi si shumëdimensionale me veçori të dallueshme.

Profesori Bedri Zyberaj, pati një përmbledhje për profilin e Agim Vincës si pedagog dhe studiues i letërsisë. Ai kujtoi kohët kur Vinca u zgjodh si “profesor ordinar”, deri tek veprimtaria e tij e bujshme që nderohet edhe në ditët e sotme.

Vinca, përshëndeti të gjithë që ishin prezent në Teatrin Kamertal dhe kujtoi themelimin e Kolegjit AAB, deri tani si një gjigant në fushën e arsimit.

“Lidhjet e mia me AAB-në janë të hershme dhe mund të them se jam edhe bashkëthemelues i institucionit, që sot është shndërruar në një gjigant falë punës dhe përkushtimit nga stafi dhe udhëheqësit”, tha ai.

Gjithashtu, ai ndau edhe përvojën si profesor në Kolegjin AAB, ku shtoi se për studentët çdoherë këmbëngulte të kishin tri elemente: dije, kulturë dhe ethos, sepse sipas tij janë më të rëndësishmet për formimin e karakterit të njeriut.

Në fund të ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe poeti Lulzim Tafa, i ndanë titullin “Profesor Nderi” Vincës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë, si dhe për meritat e jashtëzakonshme për artin dhe letërsinë ndërkombëtare”.

Në këtë ngjarje pati edhe recitime të poezive të autorit nga artistët Fitnete Tuda, Arta Lahu dhe Alban Zogaj, të shoqëruar nga kitaristi Riad Ramadan,i si dhe këngë të vjetra shqipe nga Ermal Demiri./ KultPlus.com

 

 

Të ngjajshme