19 Tetor, 2022 - 3:09 pm
Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu, shkruan KultPlus.
Ky botim është prezantuar në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu.
Në këtë komplet të veprave, KultPlus ka mësuar se janë këta tituj: “Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”.
Pas publikimit të kompletit të veprave të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, shkrimtari dhe publicisti Jusuf Buxhovi ka thënë se Ibrahim Kadriu është njëri ndër shkrimtarët më të dalluar të letërsisë sonë bashkëkohore.
“Ibrahim Kadriu është njëri ndër shkrimtarët më të dalluar të letërsisë sonë bashkëkohore, me një opus të gjerë, veçmas në prozë, me dhjetëra romane, ndër cilët gjithsesi duhet dalluar “Misioni rus” i përkthyer në disa gjuhë si dhe “Kalorësi i Karadakut”, që trajtojnë tema të një dimensioni të veçantë socio-historik. Kompleti prej dhjetë veprave, pa mëdyshje se paraqet një përfaqësim autorial të punës dhe angazhimit gjashtëdhjetëvjeçar të shkrimtarit, por kjo nuk lë anash edhe veprat tjera të shumta të Kadriut, të cilat zënë një vend të merituar në sfondin e gjithmbarshëm të letërsisë shqipe”, ka thënë Buxhovi./ KultPlus.com