16 Tetor, 2024 - 1:06 pm
Të martën, në praninë e shkrimtarëve, studiuesve, gazetarëve, botuesve, studentëve etj., në Bibliotekën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u mbajt aktiviteti letrar Ora e Shkrimtarit, me prozatorin, studiuesin dhe përkthyesin, Gëzim Aliu, në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Në fillim të fjalës së tij, poeti dhe studiuesi i letërsisë, Milazim Krasniqi, i cili e moderoi këtë takim letrar, duke folur për rëndësinë e këtij projekti, si dhe të projekteve të tjera të PEN Qendrës së Kosovës, ndër të tjera, tha: “Projekti i PEN – it, me titullin “Ora e Shkrimtarit” synon që ta kthejë vëmendjen tek autori, ashtu që ai vetë ta prezentojë veten dhe veprën e vet. Kjo qasje nuk ia kufizon hapësirën kritikës e as lexuesit, që të ndërtojnë ata rrëfimin e vet dhe universin e vet imagjinar, (po operojmë me formulimet e Cvetan Todorovit nga studimi “Poetika e prozës.”) Por, kjo qasje i mundëson autorit të rrëfejë të vërtetat e tij mbi rrëfimin e vet dhe mbi universin e vet imagjinar, me çka faktikisht ia lehtëson punën lexuesit, i cili në kohën tonë është i sfiduar nga flukset e vrullshme dhe kundërthënëse të informacioneve. Prandaj, rrëfimi i vetë shkrimtarit mund ta ndihmojë që të kuptojë më shumë nga leximi i veprave të shkrimtarit”.
Duke e paraqitur krijimtarinë letrare të Gëzimi Aliut, kryesisht në fushën e prozës dhe të studimit letrar, Milazim Krasniqi, theksoi se: “Sot kemi rastin e shkëlqyeshëm që nga shkrimtari Gëzim Aliu të dëgjojmë rrëfimin e tij mbi procesin me të cilin ai e formëson universin imagjinar të tij. Shpresoj të jetë rrëfim interesant, pasi që Gëzimi tashmë është një prozator i shkëlqyeshëm”.
Në fjalën e tij, Gëzim Aliu, u përqendrua në temën “Si e shkruaj romanin”, duke ofruar mjaft shembuj, në radhë të parë, për procesin e të shkruarit si dhe për përvojën e tij krijuese, veçanërisht lidhur me tregimin dhe romanin, duke konstatuar se “Romani është Njeriu, Gjuha dhe Imagjinata. Një libër pa Njeriun, pa Gjuhën dhe pa Imagjinatën nuk është roman, nuk mund të jetë roman i plotë”.
Më tutje, Aliu paraqiti disa ide interesante për botën e shkrimtarit, duke thënë se “Një shkrimtar mund të shkruajë një tregim a skicë për një pemë që lulëzon dhe që përkëdhelet nga era e lehtë, e këndshme pranverore, madje përshkrimi i tij mund të jetë prekës, mallëngjyes, i bukur. Por, lexuesi, pas disa radhëve, intuitivisht pret hyrjen në skenë të njeriut. Tregimi mund të përfundojë pa njeriun, edhe lexuesi mund të kënaqet estetikisht, por nuk do të përfshihet, nuk do të ketë me kë të identifikohet apo kë ta duajë a urrejë, nuk do ta shijojë një histori të caktuar. Ku nuk ka histori, nuk do ta ketë as të ngjashmin e vet: Njeriun”.
Në vijim, Gëzim Aliu, në mënyrë të veçantë foli për idenë se si i shkruan veprat e tij:” Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë. Me kohë shkrimtari e krijon procesin e të shkruarit, që nuk do të thotë se i përmbahet në tërësi, por është një mënyrë pune që e ndjek. Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit”.
Duke i karakterizuar mendimet e tij në një rrafsh më të gjerë të pikëshikimit kritik, Gëzim Aliu, tha se: “Botimi i një romani është dhembje e madhe artistike. Kur kjo dhembje shndërrohet në kënaqësi leximi për lexuesit e mundshëm të sotëm e të ardhshëm, atëherë e vërej një shkëndijë nga përjetësia njerëzore, që megjithatë është e përkohshme në këtë gjithësi të pakufishme e të çuditshme e të pakuptueshme për mendjen tonë”.
Gëzim Aliu, iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, të cilat kishin të bënin kryesisht me mënyrën se si i shkruan veprat e veta, në radhë të parë, për aktin e frymëzimit, për motivet dhe temat, pastaj për personazhet e romaneve, për veprat e përkthyera nga anglishtja në shqip, si dhe për çështje dhe fenomene të ndryshme të letërsisë. Gjithashtu, përmendi edhe përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botërorë, duke u ndërlidhur me procesin krijues të veprave të tyre, në faza dhe periudha të ndryshme kohore./ KultPlus.com