13 Qershor, 2024 - 2:36 pm
Qerim Kryeziu
Veprimtaria letrare e albanologjike e Ullmar Qvick-ut mw ka ngacmuar në rini por, mbi të gjitha, dashuria e tij për shqipen e shqiptarët me ka përpirë në vazhdimësi. Po si ishte dashuria e suedezit për shqiptarët?
Për të filluar dashurinë për shqiptarët, shtatëdhjetë vjet më parë, ishte për Qvickun si të ndërtonte me imagjinatë subjektin e një përralle. E tëra, filloi tek ky njeri i virtytshëm, si një ëndërr. E, ëndrra ia bëri të bukur ardhmërinë.
Qvicku nuk u zmbraps kurrë në projektin shqiptar dhe nuk u plak kurrë në dashurinë për shqiptarët. Duke e ndërtuar me dashuri projektin shqiptar, ai hyri qetësisht në përrallen e imagjinuar dikur. U bë kështu vetë subjekt ëndrre, legjendë që do të kujtohet përgjithmonë.
“Nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptaret”- tha Qvick-u në një intervistë televizive. Në Suedi, s´e gjen dot edhe një tjetër suedez që ka “vuajtur” në heshtje kënaqësitë e dashurisë së vet për shqiptarët sa ky shpirtmirë. Asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk ka kërkuar shpagim për dashurinë që na ka dhuruar. Në moshën delikate të rinisë na njohu rastësisht, në baulen e zemrës së vet na fshehu përjetësisht. Në konstitucionin shpirtëror suedez, dashuritë shkojnë e vijnë, pa pasur nevojë të zbulojnë ligjet e saj por, tek ky suedez i mirë, dashuria shqiptare u shfaq vetëm një herë dhe ngeli aty, përherë. Si kod i pathyeshëm i miqësisë, si himn i dashurisë mes njerëzve e kulturave.
Kur e kam studiuar Qvick-un, jam habitur nga përmasa e korpusit epistemologjik që ruante për shqiptarët. Brezat e ardhshëm shqiptar, jam i bindur, do të ndjejnë edhe më shumë obligim e nderim për të.
Sepse, ne shqiptarët e Suedisë, kemi sot shumë pasuri nëpër kontot e bankave skandinave dhe mjaftë aftësi për të komunikuar në gjuhët e popujve skandinav. Me të dyja, pasuritë e aftësitë, ndjehemi vërtetë krenarë por, askush prej nesh nuk është aq i pasur e aq krenar, sa të mund të blejë të kaluarën e të tashmen albanologjike të suedezit Ullmar Qvick. Prandaj, konstatoj se Ullmar Qvick-u përveçse është suedez i mirë dhe shumë i ditur, është edhe mik i dëshmuar i kombit shqiptar. Duke qenë “mik i virtytit dhe jo i fatit”- siç shkruante Skënderbeu në letrën e dërguar Ferdinantit të Napolit, ai mbetet i papërsëritur në historinë e miqësisë së dy popujve.
Dashuria e Qvickut për shqiptarët, më shumë se çdo mirësi tjetër, do t´i falë atij pavdekësinë.
Tu bëftë dita njëmijë mik i dashur! Gëzuar ditëlindjen!
Lexuesi juaj i dashur Qerim Kryeziu./ KultPlus.com