Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, promovohet romani i Ndue Ukajt në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”

23 Prill, 2025 - 7:14 pm

Drejtoresha e Dretorisë së Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u organizua promovimi i romanit më të ri të autorit Ndue Ukaj, me titull “Dritarja e Marin Shkrelit”. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë reflektive dhe kulturore, me pjesëmarrjen e dashamirëve të letërsisë, studiuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore.

Halimi theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar romanin si një vepër që i fton lexuesit të ballafaqohen me pyetje themelore mbi identitetin, historinë dhe artin shqiptar.

“Në qendër të romanit është dritarja – një simbol shumëplanësh që lidh botën e brendshme me atë të jashtmen, mendimin me realitetin, dhe të kaluarën me të tashmen. Përmes saj, Ukaj sjell një vështrim meditativ që sfidon format tradicionale të tregimit dhe e ngre romanin në një dimension tjetër estetik. Vepra nuk ndjek domosdoshmërisht një strukturë lineare, por më shumë ndjek ritmet e mendimit, kujtesës dhe emocioneve, duke ofruar një përvojë leximi që kërkon përqendrim dhe ndjeshmëri”, u shpreh ajo.

Gjatë promovimit, u nënvizua se kjo vepër nuk përfaqëson vetëm një periudhë të caktuar historike apo një figurë individuale, por e trajton shkrimtarin si figurë kyçe në reflektimin shoqëror dhe kulturor, duke ngritur pyetje mbi rolin e letërsisë në raport me realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve.

Ky aktivitet shënon edhe njëherë angazhimin e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për të kultivuar hapësira të mendimit dhe dialogut kulturor, duke afirmuar librin si mjet të fuqishëm për reflektim dhe ndërgjegjësim shoqëror.

Promovimi i romanit të Ukajt u përmbyll si një moment i rëndësishëm në kalendarin kulturor të Prishtinës, në një ditë simbolike për letërsinë dhe lexuesit anembanë botës./KultPlus.com

Të ngjajshme