30 Shtator, 2021 - 7:32 pm
Që prej vitit 2017 data 30 shtator është veçuar prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri informoi se dita përkon me festën e Shën Jeronimit, klerikut nga Iliria që përktheu Septuagintën në variantin vulgar të latinishtes, transmeton KultPlus.
Njëkohësisht, kjo datë synon të vlerësojë punën e përkthyesve, proces i cili luan rol të rëndësishëm në afrimin e kombeve, ndihmesën e tyre në dobi të dialogut, kuptimit të dyanshëm dhe bashkëpunimit, duke kontribuuar, kësisoj, në fuqizimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Mirëpo, sado romantik të duket përkthimi dhe përkthyesi, puna e përkthimit nuk është shëtitje në ndonjë kopsht Edeni, as këndellje në retë puplore të perëndimit bojëall.
Mundimet e përkthyesve janë të shumëllojshme, por më i madhi mundim mbetet afati dhe lëmimi i gjuhës.
Ilustrim i pjesshëm i kësaj janë shembujt që DPA sjell në imazhe, marrë nga fletoret e Fondit “Lasgush Poradeci” të Arkivit Qendror Shtetëror në Shqipëri, ku poeti ka përkthyer poezi nga Johann Wolfgang von Goethe dhe Heinrich Heine. / KultPlus.com