16 Tetor, 2018 - 3:30 pm
Sot 164 vjetori i lindjes së Oscar Wilde
Oskar Uajlld (Oscar Wilde) ishte një shkrimtar dhe poet irlandez. Ai u bë një nga dramaturgët më të shquar të Londrës në vitet 1890. Sot, ai kujtohet për epigramet e tij, romanin “Portreti i Dorian Greit”, dramat, rrethanat e burgosjes së tij dhe vdekjen e hershme. Në fund të shekullit të 20, ai u bë një ikonë e personave gej. Muaji tetor përkujton 160-vjetorin e lindjes së tij.
Ai u përball me disa gjyqe për preferencat e tij seksuale mashkullore, dhe u dënua me dy vjet punë të detyruar për këtë gjë. Wilde vdiq në Paris në moshën 46-vjeçare.
Shprehje nga Oscar Wilde:
Ruaj dashuri në zemrën tënde. Një jetë pa të, do të ishte si një kopsht ku nuk bie dielli e ku të gjitha lulet janë vyshkur.
Kur isha i ri, mendoja se paratë ishin gjëja më e rëndësishme në jetë; tani që jam plakur, e di që ato janë vërtet. Edukimi është diçka e admirueshme, por është mirë të kujtohet herë pas here se asgjë që ia vlen të dihet, nuk mund të mësohet. Si pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë që këmbëngul ta trajtojë atë sikur ajo është një qenie njerëzore perfekte dhe normale njëkohësisht?
Një ëndërrimtar është ai që e gjen rrugën e tij, vetëm nga drita e hënës dhe ndëshkimi i tij është se e sheh agimin përpara së gjithë botës. Femrat janë bërë për t’u dashuruar, jo për t’u kuptuar. Shoqëria ekziston vetëm si koncept mendor; në botën e vërtetë ka vetëm individë. Eksperienca është emri që u vëmë gabimeve tona. Arti është forma më e fortë e individualizmit që ka njohur bota.
Shoh burra të dashuruar me gra. Ata u japin atyre një pjesë të jetës. Ndërsa gratë u japin burrave gjithçka. Jam aq i zgjuar, saqë ndonjëherë nuk kuptoj asnjë fjalë nga ato që them. Miqtë e vërtetë ta ngulin thikën në kraharor, jo në shpinë. I vetmi ndryshim midis shenjtorit dhe mëkatarit, është se çdo shenjtor ka një të shkuar, dhe çdo mëkatar ka një të ardhme. Njeriu nuk është vetvetja kur flet në emër të personit të tij.
Jepi një maskë dhe ai do të tregojë të vërtetën. E qeshura nuk është një fillim i keq për një shoqëri dhe është mënyra më e mirë për të përmbyllur një të tillë. Një zotëri i vërtetë, është ai që kurrë nuk i lëndon ndjenjat e dikujt pa qëllim. Asnjë artist i madh nuk i sheh gjërat siç janë. Nëse do t’i shihte, do të reshte së qenë artist. Shumica e njerëzve janë si njerëzit e tjerë.
Mendimet e tyre janë opinionet e dikujt tjetër, ata jetojnë një imitim, pasionet e tyre janë një citat. Ambicia jonë duhet të jetë të sundojmë veten, mbretëria e vërtetë për secilin prej nesh dhe progresi i vërtetë është të dimë më shumë, të jemi më shumë dhe të bëjmë më shumë. Burrat gjithnjë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje, ndërsa gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
Fali gjithnjë armiqtë e tu, asgjë nuk i zemëron më shumë se kjo. Unë kam shijet më të thjeshta. Kënaqem gjithnjë me më të mirën. Kujtesa… është ditari që ne të gjithë e mbajmë me vete. Duke na përcjellë mendimet e të paedukuarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit. Në fillim, fëmijët i duan prindërit, pas njëfarë kohe i gjykojnë ata, rrallë në mos kurrë, i falin.
Është absurde t’i ndash njerëzit në të mirë dhe në të këqij. Ata janë edhe kështu, edhe ashtu. Jeta nuk është kurrë e drejtë dhe ndoshta më mirë për shumicën prej nesh që nuk është kështu. Mënyra më e mirë për të hequr qafe tundimin, është t’i dorëzohesh atij. Mund t’i rezistoj gjithçkaje përpos tundimit. Jemi të gjithë në hendek, por disa prej nesh shohin nga yjet. E vërteta është rrallë e pastër dhe kurrë e thjeshtë. Morali është sjellja që mbajmë ndaj njerëzve që nuk pëlqejmë. Mes meshkujve dhe femrave, nuk mund të ketë miqësi. Mund të ketë pasion, armiqësi, dashuri, por jo miqësi./ KultPlus.com