Në grykë të Vuçakut

30 Dhjetor, 2019 - 1:15 pm

Berat Armagedoni

Ecja dhe ecnim drejt grykës
me sy bërë sa të kaut
me lot ndër sy e me lodhje trupi e dërrmim
rrëzohu e çohu e lëndohu
herë nana
herë gjyshja
herë motrat e herë unë

dhe pos nesh
edhe të tjerë mbanin në duar
foshnja
fëmijë
gra
pleq
edhe ndonjë qese me
ndonjë copë bukë e kripë e djathë

një loke
skaj rruge
e kërrusur dhe e lodhur
ishte ulur në një guri dhe me kule të mëndafshta
kishte mbështjellë një foshnje
dhe qante që nënën asaj ia kishin vrarë
ata që na vinin pas
me armë dhe artileri
dhe me egërsi
milici dhe ushtri serbe e gjithë fusha mbushur ishte
mbushur me ta ishte edhe i gjithë mali
edhe ato pak rreze dielli na kishin zënë me avionë
shpresë kishim vetëm te Zoti
se NATO s’shihej askund

o sa e keqe ishte dita që u bë natë papritur
nga tymi i djegies së shatorëve, traktorëve, veturave
era stërvinë vinte në gjithë grykën sa nga kafshët e mbytura
sa nga njerëzit e therur e të vrarë e të lënë mbi dhe
donin të më vrisnin edhe mua milicët
ma drejtuan 47-shin dhe vetëm një herë më thanë “Stoj”
menjëherë u çova nga shtrati si nga varri
i bërë akull
me luftën në mendje dhe trup

(Luftën e Kosovës, ndër të tjera, e kam përjetuar edhe në grykë të fshatit Vuçak të Drenasit. Edhe sot, pas kaq vjetësh të përfundimit të luftës, atë e kam përbrenda dhe e kujtoj më shpesh në këtë kohë që kam nisur t’i shkruaj poezitë dhe tregimet për luftën)./KultPlus.com

Të ngjajshme