8 Maj, 2018 - 3:00 pm
Në Toronto, në qendrën kulturore të shqiptarëve të Kanadasë, më 6 maj, u bë promovimi i librit “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, i autores Sanije Gashi.
Fjalën e hapjes në këtë promovim e mbajti presidentja e nderit e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, Ruki Kondaj, e cila shpalosi rrëfimet, të cilat paraqesin një ndër periudhat më të trishta të popullit shqiptar të Kosovës, protagoniste kryesore të të cilave janë gratë që përjetuan llahtarin në shtëpitë e tyre gjatë luftës së viteve 1998/1999, nga forcat okupuese serbe. Përveç adhuruesve të librit, për herë të parë në një ngjarje kulturore, ishte e pranishme edhe zonja Laura Albanese, Ministre e Migracionit dhe e Shtetësisë së shtetit të Ontarios, të Kanadasë, e cila librin e cilësoi një testament, vepër me fakte për krimin e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Po ashtu, në këtë event ishte e pranishme përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanada, Besa Ademi, e cila librin “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, e vlerëson krahas monumentit të heroinave në Prishtinë.
Ndërkaq, kohë më parë, kryeministri Kanadez, Justin Trudeau, pas marrjes së librit “Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999”, pati shkruar: ‘Zonja Gashi, e vlerësoj jashtëzakonisht botimin e këtij libri, ju faleminderit që keni gjetur kohë ta shkruani.’
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe personalitete të tjera të njohura shqiptaro – kanadeze, në mesin e të cilëve ishte edhe shkrimtarja e njohur, Eglantina Mandia, ku u promovua veprimtaria e saj shumë cilësore./ KultPlus.com