28 Maj, 2020 - 11:24 am
Publicisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti shpesh kritikon sistemin politikë por edhe shumë dukuri të tjera shoqërore. Përmes shkrimeve të tij ai ka arritur ta fitojë dashurinë e lexuesve të cilët e çmojnë shumë fjalën e tij, shkruan KultPlus.
Të shkolluar por të paditur është “krimi” i radhës të cilin e dënon përmes fjalës së tij Mehmeti e të cilën thënie ju sjell KultPlus:
“Në kohët e sotme bëjmë një krim që do ta paguajmë shumë shtrenjtë: prodhojmë të shkolluar, por të paditur”
Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si shkrimtar, romansier, tregimtar, eseist, publicistë dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Evropian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturorë në Shkup.
Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon.
Tani punon si përgjegjës i zyrës së TV Top-Channel në Shkup.
Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. Kim Mehmeti është rrëfimtarë i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjeshtë ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejtë thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri te irealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori.
Kim Mehmeti, fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë 2008 Kim Mehmeti, fituesi i Shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008
Arsyetimi i Jurisë: Për shkathtësinë dhe koloritin e rrëfimit poetik, për mjeshtërinë e ndërtimit të prosedeut romantik, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik, në të cilin ndërthuret e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Otomane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit dhe titizmit, juria vendosi njëzëri që çmimi t’i jepet shkrimtarit Kim Mehmeti, për romanin “Vitet e urithit”, botuar nga Toena, Tiranë më 2007.
Shpërblimi për gazetari nuk u nda, sepse sipas vlerësimit të jurisë, pavarësisht faktit se në mesin e konkurruesve ka pasur gazetarë kualitativë, këtë herë cilësia e teksteve të paraqitura nuk ka përkuar me standardin e lartë që ka vendosur juria për ta akorduar këtë shpërblim.
Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë tjera. / KultPlus.com