20 Mars, 2020 - 9:58 am
Nga Jusuf Buxhovi
Sheh Alia i Teqes së Madhe ishte fjalëpakë. Si prijës i Parisë
së shehrit, edhe sjelljes së Kajmekamit për të na treguar se ishim të
nënshtruar, ia humbte fuqinë… Kjo u pa më së miri kur pas atyre që i tha
Shefki Aga rreth shpalljes se shtetrrethimit dhe fuqisë së fermanit, kërkoi që Paria
e shehrit të dinte për të gjitha, veçmas për qerret me mushama që shkonin natën
në drejtim të Urës së Tabakut për në Shkugëz si dhe për punën e minjve që përhapeshin natën rrugicave nga disa të
panjohur…
Kajmekami u mundua që të sillej me mospërfillje
ndaj Sheh Alisë, ndonëse qehrja po ia pasqyronte një mllef të brendshëm, që
mezi e përthekonte. Tha se hyqymeti i dinte punët e veta, ndërsa mileti duhej
vetëm të bindej…
Kur Sheh Alia ishte gati të largohej pa ize bashkë
me ne, ndërhyri Shefki Aga. Tha se mund të ishte koha e ligë dhe e keqja e
madhe që po na kërcënohej, që sillte edhe shqetësime dhe keqkuptime, por, shtoi
se fermani ishte ferman dhe se atij të gjithë i nënshtrohen…
“Ne do ta luftojmë të keqen… Nuk ka ferman që e
ndalon këtë…”
Kur dolëm jashtë dhe dita me diell të shëndritshëm
të marsit sikur për pak na hoqi sikletin e fermanit, te skaji i urës, Lam Mula,
hapi punën e sjelljes së plakave të malësisë që do të merreshin me grrithjen,
që ishte punë me rrezik pas shpalljes së fermanin, por duhej bërë medoemos.
“I ke myhibët e mi të gatshëm edhe me dekë” , tha
Sheh Alia. “ Mos kurse njeri… Në kohë murtaje edhe ujku e dhia bahen
bashkë…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982). / KultPlus.com