13 Qershor, 2018 - 8:24 pm
Të gjitha notat e nxënësve të klasës së IX -1 të shkollës fillore “Emin Duraku” të kryeqytetit janë mbyllur, por jo edhe ato të lëndës së historisë, raporton KTV.
Mësimdhënësja e kësaj lënde, Afërdita Misimi, ka vendosur që tre nxënës të mos i notojë fare, shkaku i mospjesëmarrjes së tyre në orën e saj për gjashtë muaj radhazi.
Ky veprim i ka lënë këta tre nxënës pa dëftesë, e cila tash u duhet për regjistrim në shkollën e mesme. Fakti që tash hapen konkurset për regjistrim dhe këta nxënës nuk i kanë dëftesat e tyre i ka irrituar prindërit.Prindërit kanë shkuar në këtë shkollë dhe e kanë kërcënuar mësimdhënësen e historisë, duke i kërkuar mbylljen e notës.
Arsimtarja Afërdita Misimi tha se nuk do të notojë nxënësit pasi që kanë munguar në orë.
Drejtori i shkollës, Agron Mexhuani tha se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.