9 Qershor, 2018 - 4:25 pm
Alberina Haxhijaj
Në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë u përkujtuar puna që ka lënë pas pedagogu dhe shkrimtari elbasanas që jetoi në Prishtinë, Tajar Hatipi. Ky organizmi u bë për të shënuar 100 vjetorin e lindjes së tij, por edhe për të promovuar tri libra me shkrimet që ai ka lënë pas, shkruan KultPlus.
“Një kujtim në mes të miqve”, kështu e titulluan të pranishmit në Panair diskutimin që bënë sot e që ia kushtuan Tajar Hatipit. Mirëpo edhe pse në mesin e tyre pati më të vërtetë miq, kjo figurë tërhoqi edhe vizitorët e panairit të cilit mbase nuk kishin dëgjuar për Tajar Hatipit. Ata rrëmbeheshin për të eksploruar gjësendet që e Hatipit e që qëndronin të ekspozuar, në sallën e improvizuar të promovimeve për këtë edicion të panairit.
Në një panair të tillë kushtuar librit dhe fjalës nuk kishte sesi të mungonte kjo figurë pikërisht për kontributin që ka dhënë në fushën e edukimit, në Kosovë. I dërguar si mësues nga Shqipëria në Kosovë në vitin 1942, Tajar Hatipi do i kushtohej punën në Kosovë duke përfshirë edhe shkrimin e Abetares shqipe për nxënësit e Kosovës, me titullin “Abetare për vjetin e parë t’arsimit të të rriturve” në vitin 1968.
Në mesin e angazhimeve të shumta që pati, u emërua edhe redaktor përgjegjës i revistës “Pioneri”, në Prishtinë në vitin 1961. Pikërisht gjatë punës aty ai takoi kryetarin e Shoqatës së Botuesve, Daut Demakun, i cili ishte edhe koleg pune me autorin të cilin ai e cilëson mik, koleg e shok të vërtetë.
“Profesor Tajar ka qenë një prej të rrallëve në Jugosllavi, ai shtatë herë është shpallur profesori më i mirë i lëndëve pedagogjike nën normalen. Duhet ta keni parasysh se kur një shqiptar në Jugosllavi merr shpërblime shtatë herë nga shteti Jugosllav, flitet për një madhështi të jashtëzakonshme”, tha Demaku i cili për të pranishmit ai kujtoi edhe momente së bashku me Tajarin.
“Një herë kisha përdorur fjalën dashurisht. Lektorët më sulmua dhe unë të të them të drejtë nuk kisha ndonjë argument përveç fjalës burrërisht. Mirëpo profesori reagoi duke theksuar se shqipen e ka krijuar shkrimtarët të cilët edhe e pasurojnë atë. Duke marrë shembull Sylejman Aliun dhe fjalën ‘punësim’ të cilën e ka krijuar ai”, kujtoi Dauti.
Ai e cilësoi pikërisht Tajar Hatipin si kritikun më të madh të gjuhës.
“Pikërisht të shqipja profesor Tajari ka qenë kritiku më i madh, ai nuk ka lejuar gabime gjuhësore gjersa ka qenë redaktori i revistës ‘Pioneri’. Ka qenë tolerant për të gjitha, mirëpo, po ja bërë një gabim gjuhësore, harrojeni tolerancën e tij, aty ai nuk lëshonte pe”, tha ai duke nënvizuar faktin se pikërisht figura e tij duhet të merret shembull nga Ministria e Arsimit.
I pranishëm ishte edhe nipi i Tajar Hatipit, Heral Saraçi. Ai tha se kur kujton dajën e tij, flet për një person i cili shkruante disa letra shumë të ngrohta dhe shumë të përmallshme nga Prishtina në Tiranë, e të cilat ai i ka lexuar vazhdimisht.
“Unë flisja për të mirëpo nuk dija se çfarë më të vërtetë ai ka shkruar kështu që fillova që të shfletojë revistat e Prishtinës dhe kjo është njohja ime me Tajar Hatipin si autorë. E meqenëse unë jam edhe botues kjo mënyrë e njohjes ishte edhe shkak që të realizoheshin këto tri botime ‘Xixëllimat’, ‘Vlon’ dhe ‘Metodika’”, tha ai.
Sot është dita e parafundit në Panairin e Prishtinës, pasi që edicioni i 20-të i Panairit do të mbyllet nesër më 10 qershor./ KultPlus.com