15 Mars, 2019 - 4:16 pm
Në Panairin e Librit në Paris sot u hap skena e Evropës me debatin publik njëorësh kushtuar letërsisë shqiptare të prodhuar në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ky debat publik u drejtua në gjuhën frënge nga intelektualët Klara Buda dhe Nezir Kraki dhe zgjoi shumë interesim tek të pranishmit dhe pati vlerësim të lartë nga organizatorët.
Katër autorët e pranishëm, Ilire Zajmi, Adem Gashi, Marigona Kelmendi dhe Haxhi Kraki folën për qasjen e letërsisë në këto 20 vjet. Këtë vit Evropa ishte e ftuara e nderit dhe jo të gjitha vendet kishin fatin ta hapin këtë aktivitet dhe të kishin një panel me autorët e pranishëm në panair. Tema e panelit ishte letërsia shqipe e Kosovës 20 vjet pas Rambujesë, ndërhyrjes së NATO-s dhe 11 vjet Kosovë të pavarur si dhe letërsisë botërore të përkthyer në shqip dhe veçanërisht letërsia frënge.
Aktiviteti u ndoq nga media franceze që e lajmëroi direkt nga panairi i librit (Livre Paris). Stenda e Kosovës L117 ndodhet në kuadër të stendës mysafire tenderit, Evropës./ KultPlus.com