8 Qershor, 2023 - 9:29 pm
Romani “Gruaja e kolonelit” ishte një ndër romanet që u promovua gjatë ditës së sotme në Panairin e Prishtinës që po mbahet tash e sa ditë, dhe se për këtë roman përpos që u diskutua në pika të shkurtëra për përmbajtjen e librit, Petrit Ymeri foli edhe për rëndësinë dhe rolin e lexuesit, shkruan KultPlus.
Drejtori i Shtëpisë Botuese “Dituria” që edhe ka nxjerrë këtë libër ka thënë para të pranishmëve se “Lexuesi është edhe subjekti edhe objekti ”
Ndërkohë, për romanin “Gruaja e kolonelit” nga Rosa Liksom, u tha se është një libër që na rrëfen për çështjen e një gruaje që dashurohet në burrin e gabuar.
“Ajo dashurohet në një kolonel komunist, i vrazhdë, “playboy”. Lufta botërore, dhuna e kolonelit të pasur, Finlanda e shtrydhur në mes Rusisë dhe Gjermanisë, të gjitha këto shtjellohen në këtë roman”, u tha para të pranishmëve në promovimin e këtij libri.
“Figura e kolonelit është një mishërim tipik i kohës, i nacionalizmit-nazist. Një personazh me një natyrë të egër dhe të vrazhdë, shfrytëzon dashurinë e sinqertë të një gruaje të thjeshtë për dhunë dhe kënaqësi vetjake. Në roman ka edhe elemente të tjera si përshkrimi i natyrës, përfshirja e problemeve dhe nevojave të shoqërisë , jo vetëm në rrafshin individual por edhe në atë kolektiv, që shoqërohet me një degradim moral e psikik, duke e shtyrë të kërkojë një fat tjetër të jetës, një djalë të ri”, u tha më pas rreth këtij romani.
“Gruaja e kolonelit” është një roman tërheqës i retrospektivës dhe kogja edukues për perspektivën. / KultPlus.com