17 Shtator, 2019 - 2:30 pm
Një ditë më parë u hap në Doha, kryeqyteti i Katarit, ambasada e Republikës së Kosovës me një ceremoni që reflekton rëndësinë e marrëdhënieve të reja midis dy shteteve mike, pasi që Katari ishte ndër vendet e para arabe që e njohu Republikën e Kosovës. Ky ishte rast që të mblidhet atje edhe komuniteti i vogël shqiptar, nga Kosova e Shqipëria, për herë të parë.
Megjithatë, edhe kultura po bën të vetën tani në avancimin e këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve. Kështu, me 2 tetor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, Instituti për Studime Orientale (ISO) i Prishtinës do të organizojë promovimin e botimit shqip të romanit “Kusari”, i shkrimit të njohur të Katarit, Abdulazis Al Mahmut, të cilin e përktheu në shqip Ejup Ramadani. Botimi i këtij romani vjen si rezultat i bashkëpunimit midis Institutit dhe shtëpisë botuese “Buzuku”. Ky roman, i botuar shqip, do të promovohet më 16 tetor edhe në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Këtu vlen të përmendet se romani “Kusar” u bë bestseler. Ai ka përjetuar tashmë botimin e shtatë, ndërkohë u botua edhe në anglisht.
“Kusari” ishte romani i parë arab që ka tematikë shqiptare. Ç ‘është e vërteta, romani motivohet nga ngjarjet e shekullit XIX në vendet e Gjirit ,duke përfshirë edhe luftën e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Aliut kundër lëvizjes vehabiste në Arabi.
Autori Abdulaziz Al Mahmud u paraqit së pari në gazetari, derisa u bë kryeredaktor i gazetës më të vjetër arabe në Katar (al-Arab). Si kryeredaktor tregoi interesim për Pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe ia kushtoi kësaj ngjarje historike dy shtojca të gazetës. Madje, ai erdhi në Kosovë në qershor 2008 dhe realizoi një intervistë ekskluzive me presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu, e cila ishte e para për shtypin arab. Më vonë, A.Al Mahmut iu përkushtua letërsisë duke botuar “Kusarin” më 2011 dhe romanin “Veli i shenjtë” më 2016 etj.,për çka mori më 2019 Çmimin e Shtetit për Letërsi. / KultPlus.com