Në Skenderaj u mbajt Ora e Shkrimtarit me Avni Spahiun

4 Tetor, 2024 - 3:07 pm

Të enjten, në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj u mbajt aktiviteti kulturor Ora e Shkrimtarit, i konceptuar si bisedë letrare të Avni Spahiut dhe Ibrahim Berishës.

Në këtë ngjarje kulturore të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, morën pjesë përfaqësues të jetës politike, si dhe përfaqësues të institucioneve kulturore, arsimore të Komunës së Skenderajt, pastaj nxënës, studentë, mësimdhënës, gazetarë, shkrimtarë e dashamirës të shumtë librit.

Personaliteti krijues i Avni Spahiut, i vështruar në rrafshin diplomatik, publicistik, përkthimor dhe në dimensione të tjera, u trajtua përmes kumtesave të shkrimtarëve, studiuesve dhe kritikëve letrarë, të cilët sollën mjaft shembuj interesantë për jetën dhe veprën e tij.

Në fillim të fjalës së tij, Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderaj, foli për personalitetin dhe kontributin shumëdimensional të Avni Spahiut në periudha të ndryshme kohore. Pas fjalës së tij, kryetari Nura e nderoi Avni Spahiun me mirënjohje, me motivacion: “për kontribut të çmuar shumëvjeçar për çështjen e Kosovës, si letrar, publicist dhe ambasador i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, duke e përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze në shtetet mike”.

Në rolin e moderatorit të këtij aktiviteti, poeti Sali Bashota, paraqiti jetëshkrimin e Avni Spahiut, pastaj u ndal veçanërisht në mendimet e tij të paraqitura për Drenicën në librin “Arti i bashkëbisedimit”. Në mesin e shumë veprave të përkthyera nga Avni Spahiu, Bashota, dalloi “Nobelistët e Letërsisë”, ku përfshihet periudha e shkrimtarëve laureate nga viti 1901-2021, si dhe antologjinë “Poetë bashkëkohorë amerikanë”, në të cilën përfshihen 36 poetë më të njohur amerikanë.

Në fjalën e tij, shkrimtari Binak Kelmendi, ndër të tjera, tha: “Pas tubimit në Prishtinë, Avniu na mbledhi sot edhe në Skenderaj. Me Avniun njihem nga viti 1977. Avniu duhet të ketë qenë absolvent fakulteti kur vinte në “Rilindje”, zgjidhte foto dhe bënte tekste të shkurtra dhe shumë atraktive për ngjarjet rreth e rreth botës. Më vonë, ose saktë pas një viti, ai filloi punën e rregullt gazetar në “Rilindje”. Unë pnoja në rubrikën e Politikës së Jashtme në “Rilindje” dhe edhe Avniu ia nisi shumë herët punës në këtë rubrikë”.

Duke i evokuar kujtimet e tij, të ndërlidhura me bashkëpunimin me Avni Spahiun, Kelmendi në vazhdim tha se “Avniu një ditë dezertoi nga gazetaria dhe publicistika. Dezertoi po them në thonjëza, sepse Avniu nga gazetaria kaloi në diplomaci. Më duket se gazetaria dhe diplomacia kanë ca gjëra të përbashkëta. Ndoshta kjo, por edhe përgatitja e tij e gjithanshme ka ndikuar që Avniu edhe në këtë fushë, sikur dhe në fusha të tjera paraprake, shkëlqeu me përkushtimin dhe me seriozitetin e vet kudo dhe kurdo. Kudo që shërbeu, Avniu mbrojti fuqishëm interesat e kombit tonë dhe të Kosovës”.

Shkrimtari Ibrahim Berisha paraqiti një kumtesë mjaft përmbledhëse, duke theksuar, ndër të tjera, kontributin e shumë personaliteteve të Drenicës, si: Hasan Prishtina, Ahmet Gashi, Luan Gashi etj.

Në kumtesën e tij, Berisha portretizoi personalitetin e Avni Spahiut, duke thënë: “Lexues kureshtar që në fëmijëri, ndërtues ëndrre apo më mirë thënë edhe aventure për të shkuar në shkollë në SHBA, pastaj gazetar, rikthim në SHB sërish tash si si korrespondent, po në SHBA. E dini çka bleu Avniu me paratë e kursyera katër vjet si korespondent në SHBA? Bleu tokën e gjyshit që e kishin marrë me dhunë shteti dhe kolonistët serbë. Aty sot ka ndërtuar një shtëpi duke dhënë mesazhin e vazhdimësisë dhe vlerësimit për vuajtjen edhe të brezave të familjes, sikur edhe të të gjitha familjeve drenicase”.

Më tutje, Ibrahim Berisha, duke i dalluar mendimet e Avni Spahiut në librin e Sali Bashotës “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu, publicist, diplomat, përkthyes), tha se: “shprehjet, konceptet kulturore, letrare, estetike, diplomatike, varësisht prej përmbajtjes së temës për të cilën flitet, janë të ndërtuara qartë, të pasura, precize, profesionale, etike, këto vlera që ishin përcaktues i përhershëm i shkrimit dhe komunikimit publik të Avniu Spahiut. Prandaj, vështirë të gjesh një intelektual, i cili 50 vjet krijon, dhe të komunikojë intensivisht me këtë kod përgjegjësie gjuhësore. Avniu vazhdon të krijojë. Sa herë bisedohet dhe bashkëbisedohet, tema e parë e tij është puna”.

Në fjalën e saj, poetja dhe drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, Naime Beqiraj, rikujtoi çaste interesante të leximeve të para të shkrimeve publicistike dhe përkthimore të Avni Spahiut, duke e dalluar vlerën e tyre letrare dhe estetike.

Kryetari i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina, foli për personalitetin diplomatik të Avni Spahiut, veçanërisht për kontributin e tij në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Gjithashtu, në këtë aktivitet, Avni Spahiu, u nderua me mirënjohje edhe nga Xhafer Murtezaj.

Duke shprehur falënderimin e tij të veçantë për organizimin e këtij aktiviteti në Skënderaj, Avni Spahiu, i përmendi disa nga ngjarjet dhe protagonistët e rëndësishëm gjatë veprimtarisë së tij krijuese, publicistike, diplomatike brenda dhe jashtë vendit.

Në fund anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës, i dhuruan Bibliotekës së Skenderaj disa nga veprat e tyre si dhe botime të PEN Qendrës së Kosovës.

Projekti Ora e Shkrimtarit, i cili gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohet në disa qendra të Kosovës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme