Në Strugë organizohen aktivitete letrare për nder të Pavarësisë së Kosovës

10 Shkurt, 2025 - 11:43 am

Më 11 dhe 12 shkurt 2025, në shenjë të festimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, organizon mbrëmje poetike dhe tryezë letrare, me pjesëmarrje të shkrimtarëve dhe studiuesve nga Kosova, Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Ulqini.

Në këtë aktivitet kulturor me fjalë përshëndetëse do të paraqitet Agim Krasniqi, 

Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Në ditën e parë, në mbrëmjen poetike do të recitohen poezi të zgjedhura për Kosovën, të shkruara nga poetët e mirënjohur: Dritëro Agolli (“Unë di shumë për Kosovën”), Ali Podrimja (“Drenica), Ismail Kadare (“Kosova”), Azem Shkreli (“Motiv me Kosovë”), Bilal Xhaferri (“Kosova “) dhe Voreo Ujko (“Fusha e Kosovës”).

Në këtë mbrëmje poetike poezitë e tyre do t’i lexojnë: Agim Vinca, Sadik Bejko Ibrahim Berisha, Entela Kasi, Puntorie Muça Ziba, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Salajdin Salihu, Lulzim Tafa, Lulzim Haziri dhe Hajredin Kovaçi.

Në ditën e dytë do të mbahet tryeza: Shkrimtarët për Kosovën. Kumtesat e tyre do t’i paraqesin shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë: Ibrahim Berisha (Shkrimtari i Kosovës: identiteti dhe pavarësia), Sadik Bejko (Takimet e mia me Rugovën në vitet e nëntëdhjeta), Agim Vinca (Shkrimtarët për lirinë e Kosovës), Entela Kasi (Kadare dhe Kosova), Ismet Kallaba (Kosova në publicistikën e Basri Çapriqit), Salajdin Salihu (Shkrimtarët për Kosovën: dy qasje të kundërta)

Binak Kelmendi (Pavarësia e Kosovës në shtypin francez), Qazim Muja (Jevrem Bërkoviqi dhe shkrimtarët e Kosovës) dhe Sali Bashota (Poetët për Kosovën)./ KultPlus.com

Të ngjajshme