22 Tetor, 2019 - 2:00 pm
Nga: Kliton Nesturi
Ajo hipi me shpejtësi në taksi, bëri përpara dhe humbi sa hap e mbyll sytë. “Si është njeriu! Pavarësisht se e di që jeton në ditë të zeza, përsëri nxiton drejt fatit të tij!” Dëshira për t’u endur më këmbë rrugëve më pushtoi të gjithin. Nuk mbaja mend se sa kohë kisha pa ecur kështu rrugëve të Tiranës. Hodha sytë përreth dhe pastaj vështrova lart. Re të dendura kishin pushtuar qiellin, duke paralajmëruar shi. Shkova te makina, hipa dhe u nisa drejt shtëpisë. Hapa radion. Tingujt e një kitare jehuan fort. Erik Klepton – “Change the world”. “Pifi” e adhuronte shumë. Psherëtiva dhe fola me vete:
“Eh, more mik! Më le një barrë të rëndë! Unë nuk e kam zakon të këndoj në vdekje, por për ty do të vajtoj, “Lotët në qiell”.
Ndryshova drejtimin dhe mora rrugën për nga spitali. Duhet të kisha qenë shumë i përhumbur, kur hyra në pavion, sa që njerëzit që ndeshja përballë i vija re si silueta. Ndjeva një zë në të majtën time, që shumë lehtë thirri dy-tri herë emrin tim. Ktheva kokën. Një femër pak më e shkurtër se unë, me flokë të shkurtër e të zinj m’i kishte ngulur sytë.
– Rona?!… – Ajo tundi kokën dhe buzëqeshi lehtë. – Ku i ke kaçurrelat?
– I kam prerë me kohë, – tha ajo pa e prerë buzagazin. – Sa vjet u bënë pa u parë?!…
– Shumë. Ndoshta ka kaluar një shekull! – dhe i hodha dorën në qafë. Edhe ajo zgjati krahët dhe më përqafoi ngrohtë.
– Si je?
– Mirë. Po ti?
U ndamë nga përqafimi dhe nisëm ta kundronim me vëmendje njëri-tjetrin. Me gjithë ndryshimet që kishte pësuar gjatë atyre viteve, sytë, goja dhe buzëqeshja i kishin mbetur po ata.
– E si të jem? – dhe uli kokën.
– E ndiej! – dhe ia kapa dorën lehtë. – Më fal që të pyeta! Ndodh ndonjëherë që të më dalë ndonjë pyetje budallaqe!
Rona tundi kokën dhe më vështroi ngrohtë, si për të më thënë se më mirëkuptonte.
– Asnjëherë nuk kam menduar se im vëlla do të vdesë. Asnjëherë nuk kam menduar se do të përjetoj vdekjen e tij. Gjithnjë kam thënë me vete se unë do të iki e para.
– Ne i duam aq shumë njerëzit tanë, saqë na duket se vdekja nuk do të na i marrë kurrë.
Ajo pohoi me kokë.
– Sot lajmërova disa nga miqtë e tij. Nuk ka shumë që ikën prej këtej. E pashë që u ndie mirë.
– Shumë mirë ke bërë që i ke lajmëruar.
– E bëra më shumë që “Pifi” të mos ndihet vetëm në këto çaste. – Dhe, pa e mbaruar mirë fjalën, një psherëtimë e thellë i doli nga shpirti.
Vetvetishëm dora e djathtë më shkoi te portofoli. E nxora, e hapa dhe mora prej aty të gjitha kartëmonedhat që ndodheshin në të. Kapa dorën e saj dhe ia futa paratë në pëllëmbë.
– Të lutem, merri! Dua që t’i kesh!
– Jo, në asnjë mënyrë! – foli ajo e shtangur. – Nuk mundem.
– Nuk dua që “Pifit” t’i mungojë gjë. Po t’ia kisha dhënë atij, me siguri që nuk do t’i pranonte. Të lutem, merri! Më konsidero si vëllain tënd!
– Janë shumë! – belbëzoi ajo.
– Përpara jetës së tij, këto nuk janë asgjë. Të lutem! -dhe ia shtrëngova fort pëllëmbën e dorës.
– Faleminderit! – mërmëriti ajo si e zënë në faj.
– Mos më thuaj faleminderit! Ne jemi rritur bashkë!
Ajo heshti, i futi paratë në çantë dhe nisi të më shihte me dashuri.
– Të jam mirënjohëse që po i qëndron pranë tim vëllai!
E përqafova!
– Shko! Dukesh që je lodhur!… Për çdo gjë që të kesh nevojë, më njofto. – dhe nga xhepi i brendshëm i kostumit nxora një kartëvizitë timen dhe ia dhashë. – Unë po qëndroj pak me të!
– Ke mbetur po ai mik i mirë! – foli dhe më rrahu lehtë me pëllëmbën e saj mbi zemër.
– Natën e mirë! – dhe e përqafova. Edhe ajo më përqafoi dhe, si u ndamë në heshtje, mori rrugën drejt daljes.
“Pifi” po rrinte mbështetur në shtrat. Vështrimi i tij kishte humbur tej dritares në natën e zezë. Sapo iu afrova, ai kthehu kokën nga unë. “Pifi” më dukej gjithnjë e më i tretur.
– Po ti? – pyeti me një dozë të madhe habie në fytyrë.
– Erdha. – dhe buzëqesha. – Po dëgjoja Erik Kleptonin dhe ja që m’u kujtove ti!
Ai qeshi fort.
– I madh je!
U afrova dhe e përqafova fort. Edhe ai më përqafoi fort. Ishte i fortë ende. Sytë më shkuan te komodina e tij. Ishte mbushur plot me paketa të ndryshme.
– Të paskan ardhur njerëz?
– Plot. Nuk e di se nga e kishin marrë vesh. Ronës i thashë që të mos lajmëronte njeri.
– Ti je njeri i mirë dhe ke plot miq. Për njerëzit që do dhe të duan, lajmi gjithnjë merret vesh.
– E vërtetë, – mërmëriti “Pifi”. – Rona sapo iku!
– E takova! – ia ktheva menjëherë. – Kishe të drejtë, nuk ka ndryshuar shumë dhe të mendosh që pas kaq kohësh.
– Të jam mirënjohës që flet mirë për time motër, por ajo ka ndryshuar shumë. E ka vrarë jeta më shumë nga ç’duhet! – dhe më vështroi ngultas. – Jam i bindur se, kur jeni ndeshur, nuk e ke njohur menjëherë, por të janë dashur disa sekonda.
– Nuk prisja ta shihja pa kaçurrela! – ia ktheva menjëherë. – Pastaj, unë jam më i madh se ajo dhe kujtesa ime është më e rënduar!
“Pifi” buzëqeshi.
– Unë jam i vëllai dhe e kam ndier gjithnjë pulsin e motrës sime. Kur unë të mos jem, ajo do të ikë nga Shqipëria. Ia kam kërkuar me këmbëngulje të shkojë në Francë, te xhaxhai. Ai jeton me familjen prej vitesh në Lion.
– A e pranon Rona këtë?
– Nuk ka se çfarë bën e vetme. Varret tona nuk mund ta mbajnë të lidhur këtu përjetë, – u përgjigj “Pifi” dhe nisi të shëtiste vështrimin e tij sa tek unë e sa nga dritarja, ku errësira e natës qe bërë edhe më e thellë.
Sado që kisha kohë pa u takuar me Ronën, mendoja se e njihja mirë shpirtin e saj. Ndoshta, ajo mund të kishte rënë në një mendje me të vëllain, si e si për ta bërë që të ndihej më i qetë, por bindja më thoshte se ajo nuk do largohej kurrë përgjithnjë në një vend tjetër, pasi “Pifi” ishte për të dashuria e dhembja më e madhe, prej të cilit nuk do të mund të ndahej kurrë.
Jashtë nisi të binte një shi i rrëmbyeshëm.
– Tani do të doja të ecja nëpër shi, duke u lagur! – foli “Pifi”, ndërsa vështronte nga dritarja.
– Të them të drejtën, kur po vija, mendova se nuk do të të gjeja këtu! Do të më dilte ndonjë infermiere ose ndonjë doktoreshë bukuroshe dhe do të më thoshte: “Na vjen keq, por nuk është këtu! Është arratisur nga spitali!”
E qeshura e tij ushtoi e fortë.
– Sa mirë do të ishte!
– Çfarë nuk pret prej teje! – qesha edhe unë.
– Tani, jo më. Po vrapoj drejt fundit!
– Ej, mjaft! Lëri budallallëqet! Erdha të flasim për gjëra të bukura!
– Mirë bëre. U lodha duke qëndruar shtrirë. U lodha. Më dhemb trupi. Sado që rrotullohem për t’u ndier sa më rehat, e kam të pamundur që të mos nervozohem nga kjo rraskapitje që më mundon. Ime motër vjen shpesh, por unë nuk e lejoj të qëndrojë gjatë. Sado që përpiqet që të mos e japë veten, unë nuk dua që ta shoh duke vuajtur.
– Ke të drejtë. Ti je i rrethuar nga njerëz të mirë dhe të mrekullueshëm!
– Them që po. E ndiej se, të paktën, dikujt i vjen keq për mua. Kur gruaja e pronarit të gazetës u sëmur papritur rëndë, askujt në redaksi nuk i erdhi keq për të. Sa herë që ajo e zëvendësonte të shoqin në mbledhjet tona të përditshme, trajtimi i saj na dukej i ulët; një fjalor brutal dhe një ton shpërfillës, deri në skllavërim. Këto nxirrte shpirti i saj, sa herë që binte tema e bisedës për punën dhe pagesat e prapambetura. “Është fati i pronarëve të rinj, – psherëtinte Leoja shpesh, jo pa trishtim. – Kështu është kur pasanikët e rinj vijnë nga asgjëja.
– Gjithsekush ka vështirësitë e veta. Injoranca dhe intriga na rrethojnë kudo njësoj.
Pasoi një heshtje e shkurtër.
– Gjithsesi, nuk dua të lë shumë dhembje pas. Ndaj i kam kërkuar sime motre që të lajmëroja sa më pak njerëz për mua. I urrej vizitat nëpër spitale. Nuk e di, pse. Ndoshta ngaqë humb intimiteti i natyrshëm. Këtu është qetësi. Çdo gjë përreth është e ftohtë, e shurdhët, memece. Më vret kjo gjendje, ndaj, për ta thyer, nis e flas me heshtjen. Madje-madje kam nisur edhe të mbaj shënime.
– Shënime? Për çfarë?
– Gjithfarësh, -dhe tregoi me kokë drejt një blloku lëkure ngjyrë-gri aty mbi komodinë. – Por aty nuk ka asnjë fjalë për vdekjen. Ti je nga të paktët që e di ekzistencën e këtij blloku. Ndoshta edhe do t’i lexosh ndonjë ditë.
– Nuk qenkan sekrete? – dhe i shkela syrin.
– Sekretet e vërteta nuk shkruhen kurrë, por merren gjithnjë me vete. Ti vetë merresh me sekretet dhe e di këtë më mirë se unë.
Buzëqesha.
– Ke të drejtë. Nuk e kuptoj se si nuk na ka rastisur të punojmë bashkë.
– Kush tha që jo? Ne jemi pjesë e së njëjtës ushtri, e së njëjtës epokë, por veçse jemi në skalione të ndryshme.
– E bukur kjo!
– Thonë se njeriut, kur i afrohet vdekja, bëhet edhe më i mençur!
– Mjaft me vdekjen, të lutem! Jemi ende në jetë, kështu që të shohim gjithnjë gjysmën plot të gotës. Askush nuk e di fatin. Ti je vërtet i sëmurë këtu, por unë mund të dal pastaj në rrugë dhe të vdes nga ndonjë aksident ose edhe prej ndonjë plumbi qorr. Por unë nuk i mendoj këto. As ti, nuk duhet, pavarësisht se je në këtë shtrat.
– Më fal, ke të drejtë! – tha ai duke rrudhur pak buzët, si të kërkonte ndjesë.
Ishte i qetë, thuaj se nuk qe aty për të pritur vdekjen. Ishte po ai që kisha njohur qysh në fëmijëri, mendjemprehtë, i hedhur, i thellë.
– Çfarë ke? – dëgjova zërin e tij.
– Unë, asgjë.
– Ishe përhumbur.
– Ndoshta, – ia ktheva aty për aty. – Gjithnjë kam pyetur veten se si ka mundësi që ti nuk u largove asnjëherë nga Shqipëria!
– Vërtet?
– Po. Ti ishe më ndryshe nga ne të tjerët. Më rebeli, më mendjehapuri qysh herët.
Ai vuri buzën në gaz.
– Ndihem mirë, kur i dëgjoj këto prej teje. Sinqerisht, të jam mirënjohës. – Dhe heshti pak. – Unë vërtet kam qenë rebel ose mëndjehapur, siç thua ti, por gjithnjë ndryshimin e kam dashur këtu, në këtë vend, dhe nuk kam menduar asnjëherë që mund të jetoj përgjithnjë larg tij. Këtu është identiteti im dhe ndihem ngrohtë, pavarësisht sfidave që kam kaluar dhe po kaloj. Ndoshta-ndoshta, jam romantiku ose idealisti i fundit këtu te ne! Por nuk më vjen keq për këtë!… Ky jam unë.
Zëri i tij, i ëmbël dhe i ngrohtë, dilte nga thellësia e shpirtit të tij. Rrallë më kishte ndodhur që ta dëgjoja mikun tim të fliste kështu.
– Po, – dhe tunda kokën lehtë. – Ky je ti dhe ke të drejtë! – dhe e vështrova “Pifin”, ndërsa ai i nguli sytë diku mbi shtrat.
Ra heshtja. Edhe në korridor qetësi. Për një çast, mendova se të gjithë po prisnim vdekjen, e cila, sapo të hapte derën e pavionit, do të drejtohej nëpër dhomat ku gjendeshin pacientët, e do të niste përzgjedhjen pa ndier aspak keqardhje! Duke i parë drejt e në sy, me vështrimin e ftohtë dhe zërin e mprehtë, gjithsecilit do t’i kumtonte mandatën duke i caktuar edhe kohën. “Ti tani,…ti nesër,… ju dy të tjerët…” Pastaj, shkonte tek i pari, e kapte nga teshat, e merrte forcërisht me vete dhe bashkë zhdukeshin në errësirë, ndërsa të tjerët qëndronin të ngrirë e të shituar, si qenie të nëmura. Hëm!… E ndjeva se në dhomë ajri ishte rënduar.
– Po ta hap dritaren! Nga ky ajër të rëndohet edhe shpirti! – dhe, si zgjata dorën te dritarja, e hapa pak kanatin. Në dhomë hyri ajër i freskët. Jashtë po binte një shi i imët.
– Mëmm!… Sa mirë bëre që e hape! Më kishte marrë malli të dëgjoja shiun. – “Pifi” vështroi orën e dorës. – Po më vjen gjumë! Nuk dua të fle, por nuk mund të rezistoj dot gjatë! Edhe ti shko!
– Nuk kam ndonjë gjë të ngutshme, kështu që mos më përzë!
– Shko, shko! Nuk besoj se ke pasur kohë të pushosh sot!
Iu afrova pranë.
– Më mirë më thuaj që dua të rri vetëm!…
– Shko! – Dhe buzëqeshi lehtë. – Faleminderit që erdhe!
– E shoh që po më përzë! Ndoshta pret ndonjë vizitë të rëndësishme, ku unë nuk duhet ë jem dëshmitar! Si të duash!… Po shkoj! – ia ktheva me të njëjtin ton dhe tokëm duart. – Uroj që të mos e bësh rrëmujë spitalin.
Qeshëm të dy. /KultPlus.com