12 Dhjetor, 2023 - 2:05 pm
Vjollca Duraku
Të martën mbrëma, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u mbajt një takim letrar për librin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” të autorit Ag Apolloni, nën patronatin Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), i cili këtë vit nderoi autorin me çmimin “Special Mention”, shkruan KultPlus.
“Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, është një roman i cili e dërgon lexuesin te origjina e historisë së përrallës së Kësulëkuqes, e cila në fakt nuk është një përrallë argëtuese, siç rëndom është paraqitur, por se kuptimi i vërtetë bazohet në një ngjarje përdhunimi, e që këtë herë mjeshtërisht autori Ag Apolloni e solli në versionin e një romani dashurie, i cili në vete ngërthen edhe përdhunimin që vjen si kontrast me njëri-tjetrin.
Pikërisht kjo specifikë, kjo lojë me mendimet dhe ndjenjat e lexuesit herë nga ngjarje të bukura dashurie, e herë nga akte të rënda siç është përdhunimi, qojnë në një ‘Skizofreni leximi’, që duket sikur po ngacmon mendjen jo vetëm të lexuesit shqiptar por edhe atij të huaj, duke e bërë librin të ketë interesimin më të madh të publikut ndaj librave të autorit Apolloni, deri më tani.
Në hollin e Bibliotekës Kombëtare nën tingujt e pianos, në mesin e shumë të ftuarve, mbrëmja letrare filloi me energji pozitive të emetuar nga prezantuesja Vlora Merovci, me një fjalim mirënjohës për prezencën e të pranishmëve, e cila më vonë lexoi edhe biografinë e autorit si dhe prezantoi të gjithë krijimtarinë e tij letrare.
“Krijimtaria e tij e larmishme tashmë ka zgjuar interesim ndërkombëtar dhe ky event i mbështetur nga Bashkimi Evropian është një nga treguesit më të mirë të këtij interesimi. Duke qenë se Biblioteka e Kosovës ishte nominuese e Ag Apollonit për çmimin Evropian, andaj edhe është caktuar nga Bashkimi Evropian për ta organizuar këtë event”, ka thënë Merovci duke shtuar se librat e Apollonit tashmë janë përkthyer në gjuhë të ndryshme duke e vendosur në mesin e autorëve më të shquar bashkëkohorë.
Më vonë fjalën e mori drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku i cili tregoi se si kishte ardhur deri te nominimi i librit të Apollonit për Çmimin Evropian për Letërsi në edicionin e vitit të kaluar, që ishte edicioni i 5-të në traditën e këtij institucioni evropian për çmimet letrare.
“Kur rrjeti i përkthimit të Radukut që vepron prej 15 vitesh në Ballkan iu patën drejtuar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke i kërkuar të nominohet një vepër letrare në prozë e botuar së fundmi i një prej autorëve në rritje nga Kosova në një konkurrencë të letërsive përkatësisht letrat e autorëve të 13 shteteve evropiane, ndër titujt që u sollën në vëmendje si vepra të përkthyera në gjuhë të huaj ishte edhe vepra “Kësulëkuqja-Përrallë për të rritur” libër ky që para kësaj jurie fitoi edhe çmimin që e cekëm më lartë”, tha ai.
Drejtori më tutje shtoi se romani “Kësulëkuqja-Përrallë për të rritur” është një roman që flet për dashurinë dhe jetën e abuzimin përmes një filozofie të thellë.
“Nëpërmjet një poetike me shumë elemente lirike, dramatike, muzikore, filozofike. Ag Apolloni na sjell një version të ri të njërës prej përrallave më të njohura në botë. Ai jo vetëm që e hulumton origjinën e përrallës, e ri-simantizon, e ri-kontekstualizon, për të krijuar paralele, paradokse dhe përplasje. Tema e dashurisë gërshetohet me temat e tjera që imponohen nga konteksti ku vendosen ngjarjet, temat e tjera janë përdhunimi, lufta, fqinjësia, vdekja, religjioni etj”, tha drejtori Gajraku më tutje.
Më pas, me kumtesën e saj u prezantua edhe drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila tregoi që me shumë ëndje e kishte lexuar veprën dhe se ishte përfshirë komplet në ngjarjet tejet interesante, herë të bukura, e herë të dhimbshme që trajton libri.
“Kur e mora ftesën për të qenë paneliste në këtë takim letrar, e pata një ndjenjë shumë të mirë, sepse vërtetë është një ndjesi shumë e keqe kur të thërret dikush të flasësh për një roman dhe nuk e ndien brenda. Unë jam shumë me fat që e kam marr këtë ftesë dhe tërë ndjesinë e brendshme po mundem me shfaq me komplet kompetencën time pa lajka, sepse është një prej romaneve që të sjell një ndjesi me copëza të bukura që të përcjell deri në fund. Kur e kam lexuar Kësulëkuqen ka momente që më ka pëlqyer jashtëzakonisht, por ka momente që ja kam marr edhe shumë inati shkrimtarit, sepse është ajo ndjesia që na ka risjellë aq afër dhimbjen që e kemi përjetuar me luftën dhe do të thotë, është ende e gjallë e shtresuar në ndjenjat tona dhe del në pah ajo çka kemi përjetuar”, ka thënë Pajaziti.
Drejtoresha Pajaziti më tej tha se ndihej me fat që jeton në një kohë të letërsisë së Ag Apollonit, duke vënë theksin në faktin se ata që kanë përjetuar luftën, dhe që kanë fatin të ndërlidhin letërsinë e sjell nga Apolloni, është ndërlidhja më reale që mund ta ketë një lexues “.
“Një roman i fshehur pas një përralle, por që në esence bart një dhimbje të madhe, dhimbje që përcjell më shumë se një gjeneratë dhe se kjo përrallë sa shkon e rëndohet. Kësulëkuqja na përkujton edhe rritën tonë, me një përrallë që në fakt qysh në fillim ka qenë një përrallë për të rritur dhe që gjenerata e gjenerata e kanë marrë një përrallë për të vegjël, e që me aq lehtësi është prezantuar para të vegjëlve”, ka thënë më pas Pajaziti, duke vlerësuar edhe këtë pjesë të rishfaqjes së Kësulëkuqes, por fiks në dimensionin që kjo përrallë ka për gjenezë.
Më pas, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se e bukura e librit është se ka një shtrirje në disa dimensione dhe dalëngadalë këto dimensione i përshtatë ndaj njëra-tjetrës, duke e sjell këtë përrallë që është vendosur prej gjenezës së përrallës së Kësulëkuqes e deri te lufta e fundit e Kosovës, sikurse dhe pasojat e saj në ditët e sotme.
“Pastaj letërsia fiktive me ngjarjen reale është ndërlidhja më e bukur që është bërë në këtë roman, ku dhimbja e tri grave të dhunuara nga forcat serbe janë përfshirë në këtë roman, për të argumentuar që ky roman ka një bazë, qëndrueshmëri përpos të bukurës letrare. Një kësulëkuqe, një ujk, një dramaturg dhe një aktore është pastaj kapërcimi i mjeshtërisë së Ag Apollonit duke tërhequr kështu edhe një paralele mu sikurse në jetën reale të popullit shqiptar. Se ne me të vërtetë kishim vuajtje, kishim dhimbje por është edhe fakti tjetër, se është edhe e bukura, është edhe arti, edhe poezia edhe teatri, rezidenca letrare e deri te dehjet”, ka thënë Pajaziti.
Ajo në fund ka rekomanduar se një libër i tillë si “Kësulkuqja një përrallë për të rritur do të duhej që nga institucionet e Kosovës të jetë pjesë e shkëmbimit të dhuratave në takimet e larta shtetërorë, sikurse do të duhej të jetë pjesë e tryezave ku diskutohet për dhunimet e grave në luftërat e ndryshme, në çdo shkollë dhe çdo pore të jetës.
“Pavarësisht kësaj, shkrimtari ka vendosur të shënoj këtë krijimtari me një tjetër vulë, shndërrimin e këtij romani edhe në film, që prej tashti jam shumë kurioze, që të di se kush do të jetë kësulëkuqja e kush ujku”, ka thënë për fund Pajaziti.
Më pas prezantuesja Vlora Merovci për të pranishmit lexoi një fragment të romanit, i cili u përcoll me shumë vëmendje, për t’i lënë radhën më pastaj autorit Ag Apolloni, i cili falënderoi drejtorin Fazli Gajraku për nominimin dhe drejtoreshën e KultPlusit, Ardianë Pajaziti për promovimin e vazhdueshëm të veprës së tij dhe të kulturës në përgjithësi.
Apolloni është shprehur se përkundër faktit se ky çmim ndahet prej vitit 2009, ai konsideron se ky cmim realisht ka filluar sivjet.
“Unë besoj se edhe ata e kanë parë se mënyra se si jepej në vitet paraprake ky cmim ishte gabim, do të thotë çdo kush që konkurronte ishte edhe fitues. Mendoj që tash këta po kërkojnë identitetin e vet, si çmim sigurisht që nuk e ka peshën e një çmimi Nobel apo Man Booker, por prej sivjet janë në kërkim të identitetit të formimit si çmim dhe mendoj, se edhe më kanë nderuar edhe i kam nderuar”, tha Apolloni.
Ai më tutje tregoi se një libër i Maria Tatas, studiuese e folklorit në Harvard, ishte bërë shkas i shkrimit të këtij libri, duke i rikujtuar historinë dhe origjinën e vërtetë të përrallës që në të gjithë botën ritregohej si argëtuese.
“Më ngacmoi ajo histori sepse nuk e kisha menduar më parë, ku më pas e lidha me histori dashurie. Është edhe histori dashurie edhe histori përdhunimi që duket sikur diçka që e përjashtojnë njëra-tjetrën u përpoqa që t’i bëj bashkë në mënyrë që të dominojë historia e dashurisë, por njëkohësisht here pas here të shfaqen edhe ato histori të tmerrshme të përdhunimit. Dhe lexuesi herë ndihet mirë e herë keq, dhe është pak problem a ta quajmë roman të gëzueshëm, të pikëllueshëm apo trishtueshëm. Sa fillon të ndihesh mirë, ndihesh keq me historitë që i lexon që shfaqen qoftë në formë dramatike apo klasike sepse kam zgjedhur t’i tregoj në atë mënyrë që të duken pak më të buta”, tha më tutje autori.
Apolloni po ashtu e potencoi punën sfiduese në shkrimin e këtij romani, i cili sipas tij shkakton një lloj “skizofrenie të leximit” që provokon lexuesin se sa mund të përballoj këtë binaritet emocional.
“Sado që i bashkon akti, i ndan qasja, në njërën anë është kur personi vlerësohet e prandaj lidhet me tjetrin dhe është pjesa tjetër e përdhunimit kur dëshiron të bëj të njëjtin akt, por në formë abuzimi, në formë nënçmimi. Duken të ndryshme si dita me natën, por kur vijnë pranë-pranë shohin se sa e tmerrshme është kjo pjesa e përdhunimit. Mendoj që po të ishte një roman për përdhunimin nuk do të dukej kaq prekës dhe kaq emocional, por kur ka në njërën anë dashurinë që e merr me relax dhe në anën tjetër e ke përdhunimin, atëherë emocinalisht reagon shumë më ndryshe”.
Më pastaj autori Apolloni, si mesazh për autorët e rinjë, tha që secili duhet të dëgjoj shpirtin e tij dhe të brendshmen në raport me rrethanat e veçanta të gjithsecilit, përderisa bëri të ditur se për vitin 2024 do të botoj një libër i cili flet për qytetin e Vjenës.
Krejt në fund, pjesëmarrësit patën mundësi që të bashkëbisedonin me njëri-tjetrin për librin në fjalë si dhe të merrnin autografe nga autori Ag Apolloni. / KultPlus.com