Nënë Kurajë dhe fëmijët e saj, të vdekur gjatë luftës 1999

27 Prill, 2020 - 10:32 pm

Shkruan: Nerimane Kamberi


Foto: Hazir Reka

Nga libri “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”, të Nerimane Kamberi, 2019

NËNË KURAJË DHE FËMIJËT E SAJ… TË VDEKUR GJATË LUFTËS 1999

 Ajo ka ndodhur para vetëm pesëmbëdhjetë vjetëve, më 27 mars 1999. Katër policë serbë kanë hyrë në shtëpinë e Ferdonije Çerkezit, kanë vënë maskat dhe i kanë marrë njëmbëdhjetë burrat e familjes. Asnjëri nuk u kthye. Vetëm trupat e dy prej bijve të saj sot pushojnë në paqe në një kodër të Gjakovës. Për t’i kujtuar ata, kjo Nënë Kurajë ka shëndrruar shtëpinë e saj në një muze.

                                                        30 mars 2014

Ferdonije Çerkezi më pret te dera e shtëpisë. Në mur, në të majtë, një pllakë e zezë prej mermeri. Më 27 mars 1999, vetëm pesëmbëdhjetë vjet më parë, policia serbe mori burrin dhe katër djemtë e saj, së bashku me disa fqinjë, miq dhe kushërinj. Krejt, njëmbëdhjetë burra që nuk u kthyen kurrë.

“Katër policë erdhën rreth orës 11 të mëngjesit. Na kanë gjetur në dhomën e ndenjes, burra, gra dhe dy vajza të vogla. E mbaj mend atë ditë, sikur të ishte dje. E kujtoj çdo moment. Ata u kthyen rreth orës 15. Të gjithëve ia kërkuan letërnjoftimet dhe na çuan në bodrum. Më është dashur ta zgjoj Edmondin, sugarin. Ata kërkuan raki, por nuk kishim, iu bëra kafe, një të ëmbël dhe një me më pak sheqer. Ata kishin sjell çokollatë për vajzat. Na kërkuan para, ari. Ia dhashë 500 marka. Pastaj i vunë maskat. I morën të gjithë burrat.” Njëmbëdhjetë burra, emrat e të cilëve figurojnë në pllakën e mermerit në hyrje të shtëpisë.

Shkoj pas nikoqires sime në katin e parë të kësaj shtëpie të cilën e ka shndërruar në një vend të kujtesës. “Doja të bëja një muze për t’i mbajtur kujtimet e tyre të gjalla. Dhe për t’u treguar të rinjve, gjeneratave të ardhshme se sa kemi vuajtur nga serbët.” Në korridor, ajo i ka renditur mbi një orman këpucët e Halimit, burrit të saj, këpucët e Artanit, Armendit, Ardianit dhe Edmondit, djemve të saj. “Artanit i pëlqente të mbathë çizme ushtarake. Ai thoshte se një ditë do të donte të shërbente në ushtrinë e Kosovës.”

Në anën e majtë, dhomat e të dy djemve, që ishin martuar të njëjtën ditë. Fotografitë e çifteve të rinj, kostumet e tyre dhe fustanet e nuseve janë të varura, thuajse kanë veshur trupat fantazmë. Në dhomat e këtij muzeu të pafajësisë gjithçka është e bardhë: muret, mbulesat e shtretërve dhe fustanet e nusëve, simbole të lumturisë dhe të jetës.

“Çka i kemi bërë? Pse i morën të gjithë? Ishim tetë, sot jam e vetme. Rejat e mia janë martuar, kanë fëmijë. Fëmijët që bijtë e mi nuk i patën”. Lotë të shumtë e mbulojnë fytyrën e saj, plot me dinjitet. Një djep prej druri gjindet në mes të dhomës. “I kam përkundur bijtë e mi me të.“ Sot, ajo do të kishte dashur t’i përkundë stërnipat e saj, “të cilëve do t’u kishte folur për baballarët e tyre”.


Ferdonija tani jeton me shpresën se do të gjenden eshtrat e më të dashurve të saj. Për momentin, vetëm dy prej tyre, Artani, më i madhi, dhe Edmondi, më i riu, pushojnë në kodrën e Çabratit, mbi Gjakovë, në kufirin me Shqipërinë. Një qytet me shumë viktima gjatë luftës së vitit 1999.

Në dhomën e ndenjës, në dy ormane prej xhami gjenden rrobat që kishin veshur djemtë kur u gjetën. Rroba të shpuara nga plumbat e forcave serbe që i ekzekutuan. “Pas marrjes së tyre nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i lava me duart e mia,” psherëtin. “Oh Zot, shpesh i shoh në ëndërr”. I fshin lotët me dorë dhe i kthen sytë kah fotografitë e tyre.

Ferdonija i falënderon të gjithë ata që i kanë shprehur mirësi, që e kanë mbështetur dhe që vazhdojnë të përpiqen t’ia lehtësojnë dhimbjen sado pak, veçanërisht ata që mendojnë ta vizitojnë atë në këtë datë përkujtimore, më 27 mars. “Djali im Artani e donte historinë. Sot historia është shkruar për të”. Ferdonija do të donte që historia moderne e Kosovës të flasë për bijtë e saj, për burrin e saj dhe për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën.

Ajo më shoqëron deri te dera, në kokën e saj gjithnjë jehojnë fjalët e burrit të saj: “Duhet të jesh e fortë, lufta mund të na marrë të gjithëve, të na lërë disa ose të na kursejë të gjithëve. Por ti duhet të jesh e fortë”. Kjo sigurisht është e gjitha që dëgjohet në këtë shtëpi, ku nuk ka më zëra burrash ose klithma fëmijësh.

Të ngjajshme