22 Mars, 2018 - 10:36 pm
Shfaqja e individëve të mëdhenj në historinë e njerëzimit tregon arsyen pse bota ku ne jetojmë nuk është tërësisht egoiste, pa vlera dhe e pasuksesshme. Janë pikërisht këto personalitete që pasurojnë botën, kombet dhe popujt, me virtytet dhe veprat e tyre të pavdekshme që ato bëjnë mbi këtë tokë. Emrat që kanë një rëndësi botërore-historike dhe që janë po aq unike e po aq të mëdha për nga vlerat që posedojnë, tregojnë se si ata, me historinë e jetës së tyre kanë ndërtuar epokat e tyre. Në mesin e këtyre emrave është edhe Gonxhe Bojaxhiu, arbënorja e papërsëritshme.
Nënë Tereza, arbënorja e madhe me shpirt të gjerë, në fakt, ishte pjesë e rrënjëve të pemës së madhe të Arbërisë dhe të famshmëve të saj, pemë kjo që mbulon një pjesë të madhe të botës së krishterë, madje shkon edhe te karrigia e Shën Pjetrit. Porse, tanimë, edhe ajo është rrënjosur aty dhe po zë vendin si pjesë e shenjtërisë, si të rrënjëve të kombit arbëror ashtu edhe të Kishës.
Tashmë janë mjaft fakte të panumërta që dëshmojnë më poshtë në këtë libër se sa thellë e ka konceptuar besimin, dashurinë dhe qëllimin e jetës Nënë Tereza. Ajo u bë nëna e jetimëve; kjo gjithashtu bazohet në atë që thuhet te Psalmet (Psalmi 68: 5-6 ) se “Perëndia është baba i jetimëve…”. Ajo sigurisht që e mësoi këtë nga Zoti, pasi ishte mjeti që Zoti e përdori atë për t’i shërbyer me dashuri njeriut të braktisur, të varfrit, të sëmurit etj. Kështu, ajo donte që thirrjen që kishte marrë sa ishte në tokë ta realizonte duke i shërbyer dhe kënaqur Zotit me atë çka bënte në shërbim të njeriut dhe dashurinë për ta, ndërsa bashkimin e përjetshëm me Perëndinë e priste në mënyrë të natyrshme, pasi ajo atë e shihte si burimin e çdo diturie, dashurie dhe shpëtimi.
Sidoqoftë, kjo është drita që na verbon, kjo është madhështia e kësaj nëne të madhe arbërore që rrethon jo vetëm kombin tonë, por edhe botën e qytetëruar. Duhet nënvizuar se shumë njerëz dhe personalitete të ndryshme në botë janë fascinuar nga karizma e Nënë Terezës. Ndërsa shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, në një intervistë të vitit 2003 e vlerëson kështu Nënë Terezën: “… Me këmbënguljen e saj, ajo është deklaruar si shqiptare dhe pranohet kudo, në të gjitha gjuhët e botës, si Nënë Tereza me origjinë shqiptare, që ka lindur nga prindër shqiptarë. Pra, ajo njihet si murgesha, shenjtorja shqiptare (…) është Nënë Tereza, që tregon një simbol, një dëshirë të popullit shqiptar për të pasur një kontakt me botën, për t’u lidhur me familjen e popujve, nëpërmjet dashurisë, dhe jo nëpërmjet mllefeve, urrejtjes disa herë, siç paraqitet, egërsisë. Kjo figurë, pra Nënë Tereza, papritur e kundërshton këtë gjë, duke treguar se është një popull që ka nxjerrë simbole të mëdha të dashurisë në shkallë planetare. Figura e Nënë Terezës, adhurimi i shqiptarëve për të, është një mesazh miqësie që ai ua dërgon popujve të tjerë. Kjo është diçka e madhe, sepse ky mesazh kthehet mbrapsht, si të thuash në rrethe të caktuara, e, për fat të keq, hidhet një dush i ftohtë mbi këtë prurje të mirë të vlerave të popullit tonë që tregon në këto çaste në Europën e sotme, në Ballkanin e sotëm.”
Në të vërtetë, për shkrimin e këtij libri unë kam punuar me dashuri, pasi ka të bëjë me një personalitet mbikohor të kombit tonë, për Nënë Terezën, e cila rrezatoi kudo që jetoi, veproi dhe punoi, duke mos e harruar asnjëherë atdheun, prejardhjen dhe gjuhën e saj. Qëllimi im në këtë libër është i thjeshtë, shpalosja e kësaj figure të madhe e të famshme arbënore në botën shqiptare si një vlerë e përbashkët, si një nënë që na nderon, si një nënë me të cilën njihemi kudo nëpër botë, ashtu siç na njohin edhe përmes Gjergj Kastriot Skënderbeut, si imazhe të kombit tonë. Këto dy figura kombëtare janë rregullator i padiskutueshëm i imazhit tonë. Sa herë që hidhet baltë mbi ne, del Nënë Tereza përballë dhe i tregon botës se kombi ynë ka vlera universale, se ky komb ka humanisten e pavdekshme; sa herë që shtrembërohet identiteti ynë apo rrëshqitet me apo pa dashje në mohime, del përballë figura e Gjergj Kastriotit, e cila na lidh me fatin e Evropës, na lidh me familjen, i tregon botës mbarë se ai është avokat i qytetërimit evropian, është vlera rrënjësore e familjes evropiane, pa të cilën nuk mund të kuptohet dot kjo familje dhe e ardhmja e saj.
Ndërkaq, mbi varret e njerëzve të famshëm, ashtu si Nënë Tereza, nuk ka qëndruar gjatë heshtja; ajo sërish ua ka rikthyer zemrat njerëzve, botës, kombeve dhe popujve, por tashmë si një Nënë Terezë e shenjtë. Ajo nuk vdiq, por u përjetësua, u bë vlerë universale, teksa bota i drejton sytë te veprat e saj të pavdekshme, te zemra e saj, te shpirti i saj human. Ajo u pranua si njeri i famshëm, si një dritë që ndriçon anët më të errëta të shoqërisë së varfër në vuajtje, në sëmundje e braktisje, ndaj ajo ndriçoi në shumë zemra që u mahnitën me punën e saj, me jetën dhe misionin e saj human.
GJON KEKA – NËNË TEREZA – Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave