15 Janar, 2019 - 12:00 pm
Nga Paulo Coelho.
“Thuhet se një sekondë përpara vdekjes, secili nga ne e kupton arsyen e vërtetë të ekzistenvës së vet. Nëse unë do të vdes nesër, gjëja e parë që do të mendoj është se e shpenzova më shumë se gjysmën e jetës sime me gruan që doja. Sa njerëz në këtë planet mund ta thonë këtë gjë?
Gjeja e dytë, është se unë bëra gjithçka. Kam bërë çmenduri. Kam shkuar në ekstreme me sjelljet dhe veprimet e mia. Kështu që, nuk kam asgjë për t’u penduar.
Gjëja e tretë, është se luftova për ëndrrat e mia. Nuk e kam pranuar asnjëherë “Jo” si një përgjigje përfundimtare. Doja të bëhesha shkrimtar dhe shkruajta”.
A mund të themi edhe ne të njëjtat gjëra?
Nëse unë vdes nesër, nuk mund të them dot se e kalova më shumë se gjysmën e jetës sime me një grua që e doja. Unë as që e kam bërë gjithçka. Mund të kem bërë gjëra të prapta, por jo çmenduri, siç shprehet Coelho. Ndoshta kam shkuar në disa ekstreme dhe më pas jam penduar. Edhe pse pendimet janë të kota, sepse nuk mund ta ndryshojnë dot të shkuarën. Për sa u përket ëndrrave, nuk mund të them se i kam arritur gjithë ëndrrat që kam. Fillimisht duhet të kesh ëndrra që më pas të mendosh se si t’i realizosh ato. Në një realitet si yni, ëndrrat tona mbyten prej të tjerëve rreth nesh dhe konsiderohen të pavlera.
Por unë gjithsesi besoj dhe shpresoj se me pak mundim, secili mund të jetojë një jetë interesante dhe të ndihet krenar në çdo moment për jetën që jeton. Nëse ne dashurohemi me personin e duhur dhe mësojmë se zgjidhjet e problemeve në çift arrihen me komunikim dhe jo me ndarje, edhe ne mund të jetojmë gjithë vitet e mbetura të jetës sonë me atë person. Nëse ne kuptojmë se ndonjëherë duhet të dalim nga kornizat e seriozitetit tonë, mund të bëjmë edhe çmenduri dhe të kënaqemi (gjithmonë në limite të shëndetshme). Nëse ne projektojmë ëndrra për veten dhe jetën tonë, ne kemi bërë gjysmën e punës. Rruga për realizimin e ëndrrave, kur i kemi të ngulitura mirë në mendje se çfarë ëndrrash kemi, na shfaqet natyrshëm përpara syve.
Duhet vullnet dhe përpjekje. Ne jemi të aftë të arrijmë çdo gjë dhe në fund, të themi se vërtet kemi jetuar, sepse nëse nuk i bëjmë këto, ne thjesht ekzistojmë dhe ka një diferencë të madhe midis jetesës dhe ekzistencës… / Bota.al/ KultPlus.com