29 Janar, 2020 - 5:05 pm
Nesër me 30 janar 2020, në orën 12.00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, do të promovohet libri “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt. Për librin do të flasin Shaban Arifaj, ish- redaktor i njohur RTK-së, i cili do të jetë udhëheqës i promovimit dhe Dr. Femi Cakolli, studius letrar e pastor, shkruan KultPlus.com
“Qytetet e Ilirisë” prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova. Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci deri në Korçë.
Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytete ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, kështjellat e sigurta, amfiteatrot, faltoret pagane, kishat paleokristiane etj.
Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm, e shpalon të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët.
Libri i tipit të udhë përshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetësh etj. ër disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës,
Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cermjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane.
Libri “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, ilustrimet janë me ngjyra, ndërsa mund ta gjeni në libraritë e qytetit “Dukagjini”, “Artini” “Buzuku dhe në kioskat e Sheshit “Nëna Terezë”. /KultPlus.com