22 Dhjetor, 2017 - 3:30 pm
Dhjetë të rinj të talentuar nesër do të lexojnë poezitë e tyre origjinale para një audiencë më të gjerë dhe para jurisë në amfiteatrin e American School of Kosova (ASK), shkruan KultPlus.
Poetët e rinj kanë pasur rastin që të aplikojnë me poezitë e tyre deri më datën 10 dhjetor. Poetët e përzgjedhur kanë qenë pjesëmarrës në dy punëtori ku së bashku me mentorët kanë përgatitur poezitë e tyre që do t’i performojnë nesër.
Ish bursistët e programit YES kanë marrë iniciativë që ta themelojnë garën e parvjetshme të poezisë së folur në Kosovë në mënyrë që t’i motivojnë autorët e rijnë që të shkruajnë poezi dhe deri më sot kjo iniciativë ka zgjuar mjaft shumë interesimin e të rinjve kreativë. Një juri profesionale në mesin e të cilëve janë të pranishëm poetët e mirënjohur bashkëkohorë të Kosovës, do të bëj vlerësimin e tri poezive dhe performancave më të mira.
Ky event organizohet për herë të tretë në Prishtinë nga bursistët e programit për këmbim të nxënësve të shkollave të mesme – Kennedy Lugar Youth Exchange and Study (YES). Programi YES për këmbim dhe edukim menaxhohet nga Këshilli Amerikan për Edukim Ndërkombëtar dhe financohet nga Zyra për Edukim e Departamentit Shtetëror Amerikan.
Kosovo Slam Poetry është garë për poetët e moshave 15-25 vjeçare e cila ju mundëson atyre që t’i ndajnë poezitë e tyre origjinale me një publik të gjerë. Poezia Slam apo Poezia e Folur është formë ndërkombëtarisht e njohur e poezisë përmes së cilës autorët i shprehin haptazi ndjenjat, brengat dhe përjetimet e tyre.
Kjo garë do të mbahet nesër me datën 23 dhjetor, duke filluar nga ora 15:00 në amfiteatrin e American School of Kosova (ASK)./ KultPlus.com