22 Tetor, 2024 - 6:35 pm
Ditën e nesërme, më 23 tetor që përkon me 153-vjetorin e lindjes së Atë Gjergj Fishtës, i konsideruar si figura madhore e letërsisë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, do të ndahen Çmimet Letrare “At Gjergj Fishta” për vitin 2024.
E kthyer në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Lezhës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ditëlindja e poetit Kombëtar, At Gjergj Fishta, shënon edhe ndarjen e çmimeve në prozë, poezi dhe memuaristikë që mbajnë emrin e kolosit të letërsisë shqipe.
Fishta cilësohet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptar për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Tituj të veprave:
–Lahuta e Malcis,poeme 1937; -Anzat e Parnasit, satirë 1907; -Vallja e Parrizit, 1909; -Shqyptari i qytetnuem, melodramë 1911; -Shqyptarja e qytetnueme,melodrame 1929; -Shën Francesku i Asizit, 1912; -Juda Makabe, tragjedi 1914; -Gomari i Babatasit, satirë 1923; – Mrizi i Zanave, 1924; -Jerina ose mbretnesha e luleve, melodramë 1941.