27 Maj, 2018 - 11:00 am
Festivali “Prishtina Lexon” këtë vit po vjen me plot aktivitete që synojnë të nxisin dhe kultivojnë kulturën e leximit te të gjitha grupmoshat.
Komuna e Prishtinës së bashku me organizatat joqeveritare organizojnë festivalin e leximit “Prishtina Lexon”, festival ky që synon ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit tek nxënësit dhe e gjithë shoqëria. Në edicionin e sivjetmë festa do të zgjasë 7 ditë dhe përfshinë të gjitha moshat.
Në organizim marrin pjesë 8 organizata joqeveritare që merren kryesisht me lexim, dije, filozofi dhe aktivitete rinore. Kjo është hera e parë që krahas Komunës së Prishtinës, organizatat e shoqërisë civile e përbëjnë pjesën kryesore të programit, që fillon me 28 maj dhe përfundon me 3 qershor. Në këtë edicion, Prishtina Lexon do të shtrihet në tërë Prishtinën dhe jo vetëm në sheshin kryesor.
Aktivitetet e para fillojnë të hënën gjatë ditës, nëpër shkollat e Prishtinës, për nxënësit e klasave VI deri në IX nga organizata TOKA. Aktiviteti i radhës, në po të njëjtën ditë, është “Nata e letërsisë dhe poetikës”, që njëherësh shënon hapjen e festivalit, do të mbahet në Degën “Përkujtimore” (Taukbashçe) të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në ora 20:30, nga ETEA, Termokiss dhe TOKA. Festivali “Prishtina Lexon”, që nga viti 2014, është iniciativë e Komunës së Prishtinës me qëllim të promovimit të leximit, nxitjes dhe kultivimit të kulturës së leximit te fëmijët. Për dallim prej viteve të kaluara, edicioni i pestë i “Prishtina Lexon”, po vjen me format më të ndryshëm duke u fokusuar në aktivitetet e mbajtura së bashku me organizatat joqeveritare, si: ETEA, TOKA, Termokiss, SOS Fshati i Fëmijeve, Virtual Sophists, KYC dhe Alliance Française.
Në anën tjetër në këtë partneritet u përfshinë edhe institucionet edukativo-arsimore, si: Biblioteka “Hivzi Sulejmani” me të gjitha degët e saj, Qendra Kulturore e Fëmijeve, shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës, Xixëllonjat, Evolution Dance, etj. Si rrjedhoje e këtij bashkepunimi të gjere “Prishtina Lexon” këtë vit do të zgjatë shtatë ditë me aktivitete të shumta, por me e veçanta është se këtë vit aktivitetet i dedikohen fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave. Po ashtu, në këtë edicion “Prishtina Lexon” do të shtrihet në tërë Komunën e Prishtinës, pra duke përfshirë edhe fshatrat. Hapja zyrtare e “Prishtina Lexon” bëhet me datë 28 maj 2018 në degën përkujtimore të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për shkak të simbolikës që kjo pronë e ka. Prona e shkrimtarit Hivzi Sulejmani u la me testament për t’u shndërruar në shtëpi të dijes – bibliotekë.
“Prandaj, ju njoftojmë se, me fillim të javës, të hënën në mbrëmje në ora 20:30, e hapim Festivalin “Prishtina Lexon” në oborrin e shtëpisë së librit, me diskutime miqësore për letërsinë, me lexime të veprave të krijuesve letrarë, e krejt këto, nën përcjelljen e tingujve të muzikës së mirë. Mos harro, mbledhe krejt dashninë gjatë vikendit, ruaje të hënën gjatë ditës dhe eja shpërndaje atë në mbrëmje. Veçse jo të tërën, e hëna është vetëm fillimi”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com