13 Prill, 2019 - 3:56 pm
Pas dy promovimeve të suksesshme në Tiranë dhe Shkodër, këtë të dielë, më 14 prill, ora 12:00, në Qendrën “BogdaniPolis” pranë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë , do të promovohet libri më i ri për martirin e fesë dhe lirisë “I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i kishës martire” vol.1, përgatitur nga studiuesit Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2018.
Për librin do të flasin Prof. As. Eugen Pepa, Dr. Albert Gjoka dhe Mons. Lush Gjergji. Aktori i teatrit të Durrësit Gjergj Doçi do të recitoj poezi kushtuar Don Shtjefën Kurtit. Promovimin do ta përshëndet SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë.
Kush ishte Don Shtjefën Kurti?
Don Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj më 24 dhjetor 1897, në një familje të mirë dhe të njohur, e cila pati tetë fëmijë, nga prindërit Jak dhe Katarina lind. Tuna – Kurti. Qysh në fëmijëri pati një edukim të shëndoshë njerëzor, kombëtar dhe fetar. Shkollën fillore e kreu në gjuhën shqipe pranë famullisë katolike të “Engjëllit Rojës” në Ferizaj. Gjimnazin klasik në Shkodër, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i filloi në Austri, por pas Luftës së Parë Botërore, i vazhdoi dhe përfundoi në kolegjin dhe universitetin e famshëm “Propaganda Fide” në Romë. U shugurua meshtar në Romë dhe Meshën e Parë e kremtoi më 13 maj 1921. Së shpejti erdhi në vendlindje. Për një kohë punoi në zyre të ipeshkvisë në disa detyra të rëndësishme. Më vonë, vite me radhë ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës (vendlindja e nënës së Nënës Tereze, Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu). Përpos veprimtarisë së zellshme bariore, meshtarake, edukative, arsimore, ai së bashku me dy vëllezër meshtarë, Don Luigj Gashi (famullitar në Smaq) dhe Don Gjon Bisaku (famullitar në Bec), punoi ditë e natë, trimërisht dhe urtisht për ta mbrojtur popullin shqiptar nga sulmet e gjithanshme diktatoriale serbe.
Kjo veprimtari iu ra në sy të gjithëve, popullit, por edhe sundimtarit, i cili në çdo mënyrë dhe mundësi ua kufizonte dhe pengonte çdo veprimtari kombëtare dhe fetare. Për ta ndriçuar deri diku kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tyre mjafton të përmendim vrasjen mizore të Atë Luigj Palaj (1913), Atë Shtjefën Gjeçovit (1929) dhe të tjerëve. Edhe këta tre klerikë ishin në shënjestër. Një herë haptazi një xhandar i ka thënë Don Shtjefën Kurtit kështu: edhe Ju do të përfundoni si Frati i Zymit!
Kjo gjë jo vetëm se nuk i ka frikësuar, por u ka dhënë edhe më tepër vrull, zemër për ta mbrojtur popullin, e jo vetveten, si trima të vërtetë. Vite me radhë ata kanë mbledhur nëpër shumë vise dhe troje shqiptare shënime mbi maltretimet, keqpërdorimet, pësimet, dhuna ndaj popullit shqiptar. Këto materiale i kanë radhitur në mënyrë sistematike në MEMORANDUM të njohur drejtuar Shoqatës apo Lidhjes së Kombeve, me seli në Gjenevë (1930) mbi këto tema të rëndësishme:mbrojtja e jetës, lirisë, të drejtës në pronë, përdorimit të gjuhës, shkollimit, fesë, kuptohet për të gjithë shqiptarët pa kurrfarë dallimi.
Ky është dokumenti i parë, për fat të keq gjertani edhe i vetmi, mbi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Don Shtjefën Kurtit, si dhe i tërë popullit shqiptar, ishte mjaft i mjerë. Së shpejti qe burgosur dhe dënuar. Faji më i madh dhe i vetmi ishte ky: prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit. Mirëpo, si gjithmonë, edhe në këtë rast, Don Shtjefën Kurti nuk lëshoi pe: më mirë vdekja, martirizimi, se tradhtimi! Një herë jam përbetuar dhe gjithmonë jam i gatshëm këtë besë shenjte ta vulosi me gjakun tim! (Lexo: Drita, Ferizaj, nr. 3-4/1983, f. 8-9).
Burrëria, trimëria dhe besnikërisë e tij u pengonte edhe në burg, prandaj përgatiten kurthin: pagëzimin e një foshnje. Për ato fjalë të shenjta fetare, të lashta dhe të shenjta edhe kulturore dhe kombëtare, si të parat të shkruara në gjuhën shqipe, prapë nga një prift shqiptar, qe dënuar me vdekje. Populli thotë: trimëria dëshmohet në vështirësi. Don Shtjefën Kurti s’ kërkoi amnisti, falje, por me krenari e pranoi: e kam krye detyrën time meshtarake! Jam krenar dhe fatlum që po vdes martir!
Jeta dhe shërbimi i tij fetare dhe kombëtar u zbatua në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjaku i tij i begatoi analet edhe me një emër të shenjtë dhe martir. Shembulli i tij për shumë njerëz ishte dëshmi e gjallë e dashurisë, besnikërisë dhe pavdekësisë.
Kleri katolik shqiptar në çdo kohë është mishëruar me popull. Këtë më së miri e dëshmon dhe vërteton historia jonë: gjatë sundimit otoman, gjatë diktaturës në Jugosllavinë e vjetër tek ne, si dhe gjatë sundimit komunist dhe ateist, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.
Në këtë varg historik Don Shtjefën Kurti ishte një dhanti e Zotit për popullin. Jetoi, veproi dhe vdiq për ideale të shenjta, të larta, për të cilat lypset jetuar dhe vepruar edhe ne, të gjithë vëllazërisht, së bashku. Martirët, dëshmorët, trimat lindin rrallë e nuk vdesin kurrë.
Papa Françesku e shpalli të lum në Shkodër, më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët Shqiptarë në krye me Imzot Vinçenc Prenushin. (teksti është marrë nga http://www.drita.info/2017/11/03/don-shtjefen-kurti-deshmor-i-fese-dhe-lirise-1897-1971/ /drita.info