19 Tetor, 2022 - 5:00 pm
Nesër në Librarinë Dukagjini promovohet romani “Shpellat” i autores R. C. Anaider.
Ky roman është një rrëfim distopik për shpellat tona njerëzore dhe vjen si një udhëtim imagjinar në një botë të konceptuar në trajtën e shpellave, të cilat nuk janë aspak të zakonshme apo konvencionale. Aty përplasen konceptet e dritës dhe errësirës, lirisë dhe izolimit, dashurisë dhe urrejtjes, familjes dhe vetmisë, lumturisë dhe fatkeqësisë.
Shpellat grupohen në bashkësi të ndryshme shpellare. Ka shpella mbi oqean, siç ka edhe shpella nën oqean, ka edhe shpella mbi ajër… Në bashkësinë e madhe shpellare nuk ekziston asnjë shtet, qytet, apo fshat konkret.
Personazhi kryesor i romanit, Silueta C, është një vajzë jetime, e cila pasi arratiset nga jetimorja përballet me një jetesë tejet të vështirë në një bodrum të rrënuar, në një cep të largët të “Shpellës së Humbur”. Në kërkim të vazhdueshëm të një shpelle që mund ta konsideronte si shtëpinë e saj të munguar, Silueta C ndjek fatin, që do ta çojë atë nga njëra shpellë tek tjetra, duke udhëtuar kështu nëpër shtigje dhe dimensione të paparashikueshme, ku fantazia i tejkalon kufijtë.
Ngjarja fillon nga ora 18:00. / KultPlus.com