Nga ditari i Lasgushit

22 Qershor, 2020 - 12:11 pm

Nga ditari i Lasgush Poradecit.

Tiranë 5/5/80:
Më ardhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove. I thashë s’mund të vete se më prishet syri (i operuar) nga e ftohta, le të urdhërojë në shtëpi. Tha: “nuk vijnë në shtëpi” (më dha të kuptoj se nuk lejohen në shtëpi). Tha Xhaxhiu se: “H. Mekuli ju ka sjellë prej Kosove dhe një send…; të vijë prof Mekuli me kosovarët këtu afër shtëpisë Tuaj në ish-hotelin e kinezëve, ja ku është hoteli 100 hapa afër”. Unë; “Afër, pò, po e sheh si filloj era e fortë? mua prej erës së ftohtë më prishet syri sipas urdhrit të doktorëve. Tashi është ftohtë, po bëhet mbrëmje. Po le të vijnë këtu në hotel nesër, si nga ora 11-12 kur do të jetë dita e ngrohur prej djellit, në pastë djellë. Sidoqoftë, ata (kosovarët) le të vijnë, unë do të vi”. Xhaxhiu: “ata nesër në mëngjes shkojnë në Kosovë, i lajmëruan të shkojnë, se vdiq Titua”. Pra, s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë. Pse? Sepse “nuk lejohet takim privat”. në Vëndin TIM (Shqipëri), të mos takohem me Vëndin TIM (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i Kombit? Sà më dhemb! dhe sa më dëshpëron! / KultPlus.com

Të ngjajshme