Nga e hëna nis shpallja e çmimeve të Nobelit, Kadare sërish në garë

29 Shtator, 2017 - 10:04 am

Gazeta kryesore suedeze “Dagens Nyheter”, duke njoftuar për fillimin e sezonit të shpalljes së çmimeve për Nobel, përmend se njëri ndër kandidatët për letërsi është edhe shkrimtari ynë, Ismail Kadare.

Sezoni i vitit 2017 hapet të hënën me shpalljen e Çmimit Nobel në mjekësi, ndjekur nga çmimi në fizikë ditën e martë dhe çmimi i kimisë ditën e mërkurën. Çmimi i paqes do të jepet në datën 6 tetor. Ndërsa data për çmimin në letërsi zbulohet disa ditë përpara, por si traditë, jepet të enjteve, pra, datat 5 dhe 12 tetor, shihen si të mundshme.

Edhe për çmimin në letërsi, Akademia e Suedisë e mban të fshehtë listën e kandidatëve, duke i dhënë mundësi vëzhguesve dhe kritikëve të letërsisë të spekulojnë pa kufi. Shumë emra shfaqen sërish vit pas viti në këtë lojë spekulimesh: Don DeLillo i Amerikës, Margaret Atwood e Kanadasë, poeti i lindur në Siri, Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari nga Kenya, Ngugi Wa Thiong’o, vetëm për të përmendur disa. Amos Oz i Izraelit dhe David Grossman, Claudio Magris i Italisë, Ismail Kadare i Shqipërisë dhe Michel Houellebecq i Francës përmenden po ashtu shpesh. Por rrethet letrare të Stockholmit bien dakord për një gjë: me shumë mundësi, Akademia do të bëjë zgjedhje konsensuale dhe konservative, pas zgjedhjes së legjendës së muzikës pop dhe kompozitorit Bob Dylan, e cila habiti dhe e ndau botën.

“Ajo çfarë ndodhi vjet ishte vërtet e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një romancier apo eseist mashkull, me rrënjë në Europë. Mendoj se do të jetë krejt i kundërti i Bob Dylan,” parashikon Bjorn Wiman, redaktor i kulturës në të përditshmen kryesore suedeze Dagens Nyheter. Ai mendon se Antonio Lobo Antunes i Portugalisë dhe Kadare i Shqipërisë kanë mundësi të mira për të fituar. Këtë vit, secili Çmim Nobel vjen me një shpërblim prej nëntë milion koronash (1,1 milion dollarë ose 940,500 Euro) i cili mund të ndahet nëse zgjidhen disa laureatë për të njëjtën disiplinë.

Laureatët i marrin çmimet në banketet formale që mbahen në Stockholm dhe Oslo, në datën 10 dhjetor. / KultPlus.com

Të ngjajshme