15 Janar, 2020 - 10:00 am
Albert Schweitzer ishte teolog, shkrimtar, humanitar, filozof dhe mjek, shkruan KultPlus.
Në vitin 1952 ai arriti të laurohet me çmimin “Nobel” për Paqe, për filozofinë e tij, e cila gjeti përdorim në marrëdhëniet shpirtërore personale. Filozofia e tij u njoh botërisht.
Schweitzer ishte edhe studiues i muzikës, ai studioi muzikën e kompozitorit gjerman Johan Sebastian Bah. Ai është padyshim njëri nga njohësit dhe studiuesit më të mëdhenj të Bahut, i cili pati ndikim te Schweitzer edhe në domenin letrar. Me studimin për Bahun, “Bach: Le Musicien-Poete, të shkruar dhe botuar më 1905 në gjuhën frënge”. Për këtë studim, filozofi gjerman Ernst Cassirer e quajti “një nga interpretimet më të mira të Bahut”.
KultPlus sjell më poshtë disa nga thëniet e tij më të njohura:
“Ngado që të kthesh kokën, do ta gjesh gjithmonë dikë që ka nevojë për ty.”
“Tashmë njeriu e ka humbur aftësinë për të parashikuar e parandaluar, dhe si rrjedhojë do ta shkatërrojë tokën.”
“Vërtetë që jeta bëhet më e vështirë kur jetojmë për të tjerët, por në të njëjtën kohë bëhet më e pasur dhe më e lumtur.”
“Di vetëm një gjë: të vetmit njerëz vërtet të lumtur do të jenë ata që synojnë dhe arrijnë të vihen në shërbim të njerëzve në nevojë.” /KultPlus.com