18 Mars, 2022 - 11:00 pm
Biblioteka e famshme e Aleksandrisë në Egjipt, ishte një nga qendrat më të rëndësishme të dijes në botën e lashtë. E ndërtuar në shekullin IV Para Krishtit, ajo lulëzoi për rreth 6 shekuj. Ishte qendra kulturore dhe intelektuale e botës së lashtë helenistike, dhe flitej se përmbante gjysmë milioni rrotulla papirusi, koleksioni më i madh i dorëshkrimeve në botën e lashtë.
Aty përfshiheshin vepra nga Platoni, Aristoteli, Homeri, Herodoti dhe shumë të tjerë. Disa nga mendjet më të shkëlqyera të periudhës punuan, studiuan dhe mësuan në këtë bibliotekë. Por në shekullin V Pas Krishtit, biblioteka në thelb kishte pushuar së ekzistuari.
Në kushtet kur shumica e koleksioneve të saj u vodhën, shkatërruan apo thjesht u lejuan të degradojnë, biblioteka nuk kishte më ndikimin që kishte dikur. Aleksandri i Madh e themeloi qytetin e Aleksandrisë në Egjipt, në skajin veriperëndimor të deltës së lumit Nil rreth vitit 331 Para Erës Sonë.
Kur vdiq 8 vjet më vonë, perandoria e tij u nda midis gjeneralëve të tij. Njëri prej tyre, PtolemeuI, u bë sundimtar i Egjiptit dhe themeloi kryeqytetin e tij në Aleksandri. Nën mbretërimin e tij dhe të pasardhësve, qyteti u bë një nga qendrat më të mëdha dhe më të begata të periudhës helenistike (vitet 323 Para Krishtit deri në vitin 30 Para Krishtit) – një qendër tregtare e lulëzuar dhe një port detar mesdhetar.
“Ndoshta biblioteka u ndërtua shumë shpejt pas themelimit të Aleksandrisë, rreth vitit 331 Para Krishtit. Por është e paqartë nëse biblioteka u themelua nga Aleksandri, Ptolemeu I apo djali i tij, Ptolemeu II. Por duket se ajo u ngrit në kohën e këtij të fundit, që sundoi në vitet 284 deri në vitin 246 para Krishtit”- tha Uileke Uendrih, profesor i arkeologjisë egjiptiane dhe Xhoan Silsbie arkeologjisë kulturore afrikane në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos.
Por një legjendë thotë se biblioteka filloi të ndërtohej kur një nga nënshtetasit e Ptolemeut I, një athinas i quajtur Demetri nga Falerum, propozoi ndërtimin e një ndërtese për të vendosur të gjitha dorëshkrimet e njohura në botë. Projekti i Demetrit synonte ngritjen e një akademie që do të rivalizonte Liceun e famshëm të Aristotelit, një shkollë dhe bibliotekë afër Athinës.
Me sa duket u ra dakord dhe shumë shpejt një ndërtesë e re u ngrit brenda rrethinave të pallatit mbretëror. “Ajo u quajt Museion, ose “Vendi i Muzave” -thotë Uendrih. Pra u emërtua sipas muzave, nëntë perëndeshave greke të arteve.
Drejtuesi i parë i bibliotekës ishte Zenodoti i Efesit. Ai ishte një studiues dhe poet grek që shërbeu si kryebibliotekar nën sundimin e Ptolemeut I dhe Ptolemeut II. Ai ishte përgjegjës për botimin e parë kritik mbi Homerin, duke u përpjekur të përcaktonte se cilat pjesë të Iliadës dhe Odisesë ishin origjinale, dhe cilat u shtuan nga shkrimtarët e mëvonshëm.
Po ashtu Zenodoti redaktoi veprën e Hesiodit, Pindarit dhe poetëve të tjerë të lashtë, si dhe botoi poezitë e tij. Me kalimin e kohës biblioteka u zgjerua në madhësi dhe fushëveprim, ndërsa sundimtarët i panë avantazhet e promovimit të një qendre të të mësuarit dhe kulturës brenda qytetit të tyre.
Subvencionet e mëdha nga mbretërit çuan në krijimin e një kompleksi ndërtesash që rrethonin Museion. Edhe pse nuk dihet plani i saktë arkitekturor i bibliotekës sipas historianit të lashtë Diodor Sikuli, në kulmin e saj biblioteka ishte e famshme për sallat e leksioneve, laboratorët, salla e takimeve, kopshtet, restorantet, madje edhe një kopsht zoologjik.
Po ashtu ajo kishte një shkollë mjekësie, studentët e së cilës praktikonin diseksionin e kufomave njerëzore, një aftësi unike që praktikohej rrallë në Evropë para Rilindjes së shekullit XV. “Museion nuk ishte një muze në kuptimin modern të këtij termi, por shumë më tepër se një universitet. Atje recitoheshin vepra letrare dhe diskutoheshin teori të ndryshme”- thekson Uendrih.
Arkivi i bibliotekës, ku mbaheshin dorëshkrimet, mund të ketë qenë një ndërtesë e veçantë nga Muzeu, megjithëse kjo gjë mbetet ende e paqartë. Vepra të quajtura rrotulla, shkruheshin në papiruse, një kallam që rritej përgjatë lumit Nil. Kallamishtet shtypeshin për të formuar letër dhe më pas thaheshin në diell.
“Temat që trajtonin rrotullat përmbanin tërësinë e njohurive të botës së lashtë perëndimore, duke filluar nga veprat letrare, te traktatet filozofike, tek shpjegimet shkencore”- shpjegon Uendrih. Po ashtu kishte tekste që përmbanin tema fetare, mitologjike dhe mjekësore.
Arkivat përmbanin vepra të shumë shkrimtarëve të famshëm grekë të antikitetit klasik, duke përfshirë filozofët si Platoni, Aristoteli dhe Pitagora, si dhe poetët dramatikë Eskili, Sofokliu dhe Euripidi. Veprat e Aristotelit cilësoheshin si një pasuri më vete.
Sipas një burimi historik, ato u blenë nga Ptolemeu II me një çmim shumë të lartë. Biblioteka përmbante edhe tekste mjekësore nga Hipokrati; poezi nga Safo, Pindari dhe Hesiodi; dhe traktet shkencore nga Talesi, Demokriti dhe Anaksimandri.
Por bibliotekarët gjithashtu mblodhën veprat e kulturave të tjera, si tekstet e lashta egjiptiane, babilonase, persiane, asiriane, indiane por edhe tekste hebraike, zoroastriane dhe budiste. Sundimtarët Ptolemaikë donin të mblidhnin të gjitha dorëshkrimet e botës, ndaj ata dërguan agjentë në të gjithë botën e njohur në kërkim të papiruseve.
Agjentëve iu dhanë urdhra të qartë për të gjetur dhe blerë çfarëdolloj dorëshkrimi që mund të gjenin, mundësisht më të vjetrat dhe më origjinalët. Çmimi nuk përbënte problem. Sundimtarët Ptolemaikë ishin të gatshëm të paguanin shuma të mëdha për dorëshkrime cilësore.
Etja për dorëshkrime ishte aq e madhe, saqë sipas një burimi nën sundimin e Ptolemeut III Euergetit, djalit të Ptolemeut II, të gjitha anijeve që hynin në portin e qytetit u kërkohej të dorëzonin çdo dorëshkrim që kishin në bord. Skribët e Aleksandrisë i kopjonin ato, duke i ruajtur origjinalet dhe duke ua kthyer anijeve kopjet.
Organizimi i rrotullave ishte një mision shumë i vështirë. Rrotullat u organizuan në mënyrë që studiuesit t’i gjenin lehtësisht. Kjo detyrë iu besua një njeriu të quajtur Kalimak, që punoi nën sundimin e Ptolemeut II. Ai shpiku një sistem, të quajtur Pinakes, ose “Tabelat”, që i klasifikonte rrotullat bazuar në tematikën që trajtonte secila prej tyre.
Për shembull këto tematika përfshinin historinë e natyrës, historinë, poezinë, ligjin, retorikën, mjekësinë dhe matematikën. Sistemi ishte i ngjashëm me një katalog të bibliotekave të sotme, dhe ai u bë një modeli mbi të cilin u bazuan më pas sistemet e tjera të organizimit të bibliotekës.
Kur rrotullat u bënë aq shumë saqë nuk mund të mbaheshin më në një godinë të vetme, sundimtarët e lashtë egjiptianë, ndërtuan një bibliotekë të dytë, të quajtur Serapeum, e cila thuhet se përmbante mbi 40.000 rrotulla. Ajo u ngrit pranë pallatit mbretëror në Aleksandri midis viteve 246-222 Para Krishtit, dhe iu kushtua perëndisë greko-egjiptiane Serapis.
Ndërsa biblioteka u zgjerua përgjatë shekujve, ajo tërhoqi shumë nga studiuesit, filozofët dhe shkencëtarët më të njohur të botës së lashtësi Eratosteni i Kirenës, Aristarku i Samosit, Euklidi i Aleksandrisë dhe Apolloni i Rodosit. Eratosteni, matematikan, gjeograf dhe austronom, ishte personi i parë i njohur për llogaritjen e perimetrit të Tokës.
Perandori romak Jul Çezari është akuzuar nga historianët e njohur si Plutarku dhe Seneka për ndezjen e një zjarri në Aleksandri që e rrafshoi edhe bibliotekën e famshme. Dhe për një kohë të gjatë historianët modernë e pranuan këtë version të ngjarjeve.
Zjarri ndodhi gjatë pushtimit të qytetit nga Çezari në vitin 48 Para Krishtit, një kohë kur Çezaripo zhvillonte një luftë civile kundër rivalëve të tij politikë. Sipas historisë, i rrethuar nga rivalët e tij, Çezari urdhëroi trupat e tij që t’i vinin zjarrin anijeve të armikut në port. Plutarku shkruan: “Çezari u detyrua të zmbrapste rrezikun duke përdorur zjarrin, i cili u përhap nga porti në qytet duke e shkatërruar Bibliotekën e Madhe”.
Por kjo tezë ka të ngjarë të jetë e ekzagjeruar, dhe më ketë bie dakord shumica e historianëve. Gjatë pushtimit të Çezarit, pati vërtet një zjarr, por besohet se biblioteka mbeti kryesisht e paprekur, edhe pse mund të jenë djegur disa rrotulla.
Sot shumica e studiuesve janë përgjithësisht dakord se biblioteka pësoi një rënie graduale, dhe jo një fund të papritur dhe dramatik. Ndërsa ndikimi i saj u zbeh me kalimin e kohës, shumë nga koleksionet e saj u shitën ose u shkatërruan, dhe ndërtesat e saj përfundimisht u rrafshuan ose u shndërruan në objekte të tjera, si kisha apo xhami./bota.al/ KultPlus.com