Ngushtohet rrethi për Çmimin Kadare 2023, përzgjedhen pesë finalistët

23 Shkurt, 2023 - 3:00 pm

Garuesit për Çmimin e madh Kadare 2023 kaluan fazën e fundit, ku nga dhjetë u përzgjodhën vetëm pesë finalistë, nga ku do të zgjidhet edhe fituesi më 26 shkurt.

Për fazën e tretë të Çmimit Kadare u përzgjodhën Grigor Banushi me “Gjenerali pa yll”, Leonard Veizi me “Ted B”, Suad Arilla me “Rikthim në vendet e panjohura”, Nurie Emrullai “Duhet të jetë dashuri” dhe  Klidi Apostoli me “I abortuari”.

Juria e këtij viti, e përbërë nga poetja Natasha Lako, shkrimtari e gazetari Alfred Peza, gazetari nga Shkupi Nazim Rashidi, pedagogët Ermir Nika dhe Irena Myzeqari, pritet ta shpallin fituesin në ditën e fundit të Shkollës Dimërore të Humaniteteve, që mbahet në Llogora.

Edhe në këtë edicion të tetë të Çmimit Letrar Kadare nuk kanë munguar emrat e autorëve të njohur, por risi për jurinë kanë qenë prurjet e të rinjve, të cilët kanë dominuar edhe në përzgjedhjen e dhjetëshes finaliste, që do të pretendojë për të fituar çmimin e madh prej 10 mijë euro. Këtë vit u paraqitën 27 dorëshkrime në prozë, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Vepra e fituesit do të botohet gjithashtu nga shtëpia botuese “UET PRESS” dhe do të ndiqet nga një tur veprimtarish promovuese.

Edicionin e kaluar, fituese u shpall shkrimtarja e njohur  Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”. Të tjerë fitues të shquar të Çmimit Kadare kanë qenë Gani Mehmetaj dhe Musa Ramadani, nga Kosova, Rudolf Marku, Virgjil Muçi, Shkëlqim Çela e Loer Kume. Përgjatë viteve, në këtë konkurs kanë garuar edhe emra të tjerë të njohur si poetja Mimoza Ahmeti, shkrimtarët Zija Çela e Bardhyl Londo, publicisti Mustafa Nano, poeti Primo Shllaku, Ylljet Aliçka, Gazmend Krasniqi e shumë të tjerë. /GazetaTema / KultPlus.com

Të ngjajshme