6 Qershor, 2021 - 11:01 am
Historiani i madh rumun me origjinë shqiptare, Nikolla Jorga, i njohur edhe si burrë shteti, është një nga figurat më të shquara të Rumanisë të këtij shekulli.
Pikërisht ai zbuloi dhe shkrimin e parë në gjuhën shqipe më 1915 në bibliotekën Laurentiana të Firences, “Formulën e pagëzimit”. Në veprën e Jorgës, çështjet e historisë sonë zënë një vend të dukshëm.
Ai lindi në Botoshani të Rumanisë, më 5 qershor të vitit 1871, nga një familje zejtarësh muratorë.
Të dhënat mbi prejardhjen e tij i kemi nga vetë N. Jorga, i cili në njërën nga veprat e tij të shumta, na thotë se gjyshi i tij i quajtur Jorgo, në shek. 19, me trastën e muratorit në krahë, erdhi nga Shqipëria, ndoshta nga treva korçare e Gorë-Oparit, dhe u vendos në Rumani duke ushtruar mjeshtërinë e muratorit.
Nikolla Jorga dhe Shqipëria
Si historian, ai sundoi historinë e mirëfilltë, atë kombëtare dhe botërore. Ai shkroi historinë e popujve të Ballkanit, duke u ndalur në atë të Shqipërisë dhe sidomos tek ajo e popullit rumun. Vepra kryesore e tij mbetet “Historia e rumunëve”, e shkruar në 10 vëllime gjatë viteve 1935-1939, që përfshijnë kohët më të hershme deri në vitin 1939.
Për historinë e popullit shqiptar, N. Jorga dha një ndihmesë të vyer. Në vitin 1915-1916, ai botoi në Bukuresht në gjuhë të huaj, disa vëllime me titull: “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shek. 15”, ku paraqet një material të pasur mbi luftën antiosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së ndritur të Skënderbeut.
Në kuadrin e kësaj pune të madhe kërkimore, në vitin 1915, ai zbulon në Bibliotekën Laurentiana të Firences, dokumentin e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” (viti 1462) të shkruar nga bashkëpunëtori dhe këshilltari i ngushtë i Skënderbeut, kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli.
Më 1919, ai botoi në gjuhën franceze në Bukuresht, veprën: “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar” dhe një vepër tjetër në Paris, më 1925, me titull: “Histori e shteteve të Ballkanit deri në vitin 1924”, ku çështjet e historisë shqiptare zënë një vend të dukshëm.
Vepra e Jorgos, e këtij dijetari të shquar, që bëri aq shumë për historinë e Shqipërisë, paraqet një interes të veçantë. /dsh/ KultPlus.com